TIRANE – Deputeti socialist, Ben Blushi u sugjeron shqiptarëve të jenë më shumë qëndrestarë. Ndërsa foli në festivalin e letërsisë, shkrimtari dhe njëkohësisht deputeti i PS-së, Ben Blushi u shpreh sërish kritik për mënyrën se si funksionon vendi sot. Blushi ishte i ftuar aty për të analizuar pjesë të romanit “Kandidati”.
Në këtë analizë e koment njëherësh, Blushi u shpreh se popullit shqiptar i mungon qëndresa, dhe këtë e ka vërtetuar komunizmi, që zgjati 50 vite, dhe korrupsioni, brutaliteti si dhe emigracioni me të cilin po përballemi sot.
“Duhej t’i kishim rezistuar më shumë së keqes. Kjo do të na forconte identitetin e do të na jepte një shpirt qëndrese, që koha provoi që nuk e kemi në masën që duhet ta kemi”, – u shpreh deputeti Ben Blushi. “Sot që flasim, – vijoi ai, – jemi përballë varfërisë, korrupsionit, brutalitetit, padrejtësisë, pabarazisë, integrimit, emigracionit, injorancës. Dhe nëse ka një popull në Evropë që ka arsye të mos i pëlqejnë shumë gjëra jemi ne, se nuk vidhet asnjë popull siç vidhemi ne, është e provuar me fakte”.
Blushi ngriti si shqetësim edhe largimin në masë të shqiptarëve në emigrim gjatë kohëve të fundit, ashtu siç ka kohë që e përmend në deklaratat e tij publike. “Kjo është e papranueshme, sepse nëse 40 mijë vetë ikin për 6 muaj, do të thotë në tetor janë bërë 100 e ca mijë zyrtarisht. Po mirë, a mendojmë ne, nëse kjo ikje vazhdon, çfarë perspektive ka ky vend, dhe në fund të fundit, kush do i punojë tokat tona? E beson dot që pas 30 vjetësh, nga 2 milionë që jemi sot, këtu të jenë 1 milion?”.
dhe dy ditë më parë, gjatë një interviste për “Zonë e Lirë”, Blushi u bëri thirrje shqiptarëve që të mos largohen nga vendi, por të përpiqen të bëjnë më të mirën për vendin e tyre që të dalin nga kjo gjendje. “Para se të ikin, të gjithë ata kanë një justifikim të madh me veten e tyre, se thonë se ‘ne u përpoqëm dhe s’ka mbetur gjë’. Kemi mundësi ta vëmë në rend. Kemi edhe pak mundësi për 2-3 vjet, dhe pastaj të mendojnë të ikin”, – u shpreh Blushi. Në fund, ai u shpreh optimist se shqiptarët do të vijnë e të bëjnë vendin e tyre.
Politika
Ndërsa u pyet se pse mungoi për një kohë të gjatë në Parlament, Blushi tha se këtë e bën për të refuzuar këtë politikë. “Politika është një art kolektiv, ti luan me të tjerët. Unë e kam të vështirë. Kam vendosur të mos e bëj më. Kjo mund të më nxjerrë mua jashtë loje, por, më mirë si spektator i kënaqur, sesa një sportist i dështuar për shkak të të tjerëve. Mos prisni që unë të bëhem një politikan kauboj që të mbaj kapele në Parlament. Doni që unë të jem me pistoletë që të zihem më kollaj?! Doni të vras ca njerëz me pistoletë që të më mbajnë në Parlament?!” – u shpreh Blushi, duke kundërshtuar politikën e sotme. “Nuk kam shkuar në Parlament si refuzim.
Ky Parlament i orëve të fundit është i rëndë për t’u mbajtur. Herë pas here unë u kërkoj falje atyre që paguajnë taksat, por nuk mund të bëhem si të gjithë. Nuk mundem, ndaj kam zgjedhur të shkruaj e të mendoj. Dua të bashkëjetoj me letërsinë sa të mundem. E gjitha kjo që ndodh bëhet me miratimin e popullit. Është fatale se si pajtohemi me këtë situatë! Më vjen shumë keq që ikin, por i justifikoj të gjithë. I kanë prishur shtëpinë, s’ka punë, ka investuar, vjen një ditë që s’ka asgjë”, – nënvizoi Blushi, në vijim të kritikave të tij për këtë mënyrë qeverisjeje.
Deputeti Ben Blushi ka kohë që është mjaft kritik ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ashtu sikurse kundër edhe drejtimit të PS-së. Këto kritika ai i ka bërë edhe në Asamblenë Kombëtare të PS-së, por edhe në shkrimet e tij në media.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
