Nga: KIÇO BLUSHI
Fushata mbresëlënëse e INUK-ut për prishjen e ndërtimeve pa leje anekënd Shqipërisë ka ndezur debatin, më së shumti politik se social mediatik se publik, ca më pak ekonomiko-zhvillimor. Gjithçka po ngjizet jo dhe aq për të provuar në ç’raport është perspektiva me kuturunë, shkatërrimi me ndërtimin, rrënimi me rimëkëmbjen, papunësia me punësimin, përparimi me prapambetjen, sesa, thënë në gjuhën popullore: cili do të jetë qari për opozitën dhe deri ku do të shkojë qederi për qeverinë aktuale? Përndryshe: cila do të jetë firoja apo kostoja e nesërme elektorale e mazhorancës së sotme?
Beteja e ditëve të fundit kundër kësaj anarkie urbane që e ka tjetërsuar e përçudnuar mjedisin në këtë farë feje e mungesë ideje, që e ka bërë paligjshmërinë normë morale dhe makutërinë meritë, tekefundit ka provuar se e gjithë vëmendja e shoqërisë (e njeriut të sotëm) vazhdon të mbetet e mbërthyer më shumë te interesi vetjak se ai komunitar; te përfitimi i atypëratyshëm se ai perspektiv; partiak e klanor se interesi kombëtar. Për këtë mjafton të vësh re se si thuajse të gjitha investimet dhe projektet në këto njëzet e kusur vite kanë qenë më së shumti në dorë të riskut dhe voluntarizmit, si dhe të rezultatit të pritshëm e të lakmuar të zgjedhjeve, të përfitimeve elektorale të partive, të fatit të mëtutejmë të liderëve partiakë sesa të dobisë, zhvillimit, perspektivës dhe përfitimeve reale të shoqërisë.
Jo vetëm këto prishje të INUK-ut, po edhe reformat e premtuara (ende të pakryera) kthimi (apo edhe moskthimi?) i pronave e mjediseve publike interesit të shoqërisë, e, mbi të gjitha, respekti për ligjin, për herë të parë dëshmojnë se si një qeveri e përgjegjshme duket se nuk do t’ia dijë për qederin, d.m.th. për koston e saj të nesërme elektorale. Në këtë kuptim, operacioni i INUK-ut duhet vlerësuar jo vetëm si spastrim i territorit të ndotur, si një “ndërhyrje në fasadat” dhe as si ndryshim sipërfaqësor i imazhit. Qëllimi lipset të jetë më madhor. Sepse nuk po shemben vetëm ndërtimet pa leje, por po synohet të shembet një shembull e një mendësi e mbrapshtë, – paligjshmëria, kuturuja, babëzia bashkë me logjikën e më të fortit: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”.
Kjo, po të arrihet, është tejet e rëndësishme. Vetëm një bashkëjetesë në normalitet, e munguar tepër gjatë, si dhe respekti i lirisë dhe i pronës së tjetrit, do të na bëjnë më të sigurt, më të lidhur me vendin e njëri-tjetrin, dhe, rrjedhimisht, edhe më evropianë. Vetëm kur ta konsiderojmë pronën publike po aq të shenjtë e të paprekshme sa pronën private, do të sosë ky tranzicion i gjatë, i mundimshëm e me kosto kaq të lartë.
***
Deri dje na ka tërhequr për hunde një lloj mbrapshtie e nismës qeveritare, rajonale apo qendrore, post diktatoriale, që vinte interesin vetjak e partiak mbi interesin kombëtar, duke na lënë me gisht në gojë dhe në bisht të zhvillimit ekonomik dhe demokratik në Ballkan. Askush nuk pyet: sa miliardë euro investime janë bërë pluhur e hi nga prishjet, nga rruspat e INUK-ut në këto vite? Po sikur këto para, kjo djersë e ky stërmundim të ishte investuar për së mbari? Askush nuk e bën këtë llogari. Aq më pak të përgjigjet. Ata zyrtarë të lartë, bashkiakë e ministra që e kanë lejuar këtë katrahurë, në mos kanë “ikur në drejtim të paditur”, kanë bërë karrierë e sot janë bërë edhe më të pasur.
Nuk është rrënuar vetëm mjedisi, pasuritë e përbashkëta, si ujërat, detet e lumenjtë, tokat e bukës, minierat, nafta, pyjet, parqet dhe plazhet etj., por perspektiva jonë e përbashkët dhe sidomos demografia; trupi i kombit është shpërbërë më keq se pas vdekjes së Skënderbeut kur shqiptarët u kthyen në arbëreshë apo në arnautë… Ne zëmë vend të parë në Evropë për emigracion (një e treta e popullsisë është larguar) dhe shkaku ka ardhur, veç të tjerash, edhe prej kësaj qeverisjeje “liberale”, prej këtij zhvillimi kaotik, anarkik, me të dalëkutëdalë. Është djerrëzuar, bashkë me pronën publike, edhe besimi se “ky vend mund të bëhet”. Qari me qederin e kanë humbur dallimin dhe kuptimin. Centralizmi dhe kolektivizimi total u zëvendësuan me hyrjabyrjen.
Fakt është që qytetet dhe fshatrat që kanë pasur pak popullsi kanë marrë shumë pak, në mos aspak investime, duke u bërë më të rrënuara e më të harruara nga ç’i la diktatura. Vendi nuk është parë, si një tërësi unike, por si një hartë elektorale. Për të kuptuar këtë mjafton të ndiqet lufta absurde mes dy palëve për reformën territoriale. Përqendrimi i popullsisë dhe i zhvillimit në pellgun Tiranë-Durrës ka krijuar një qenie së cilës i “lulëzon” dhe i rritet vetëm koka, por jo gjymtyrët. Dhe për të hamendësuar këtë shkartisje mjafton të shkohet në Kolonjë dhe në Përmet (si në çdo periferi tjetër) për t’u bindur që këto zona të mrekullueshme, jo vetëm të historisë e të Rilindjes, po edhe të pasurive dhe resurseve ekonomike dhe turistike, meqë kanë pak popullsi e nuk mund të sjellin shumë vota, janë ndëshkuar me harresë, a thua se nuk i takojnë më territorit të Shqipërisë. Deputeti i Devollit, ish-ministër i Financave, la disa fshatra pa rrugë, që nga Mirasi e tëhu, – Qytezën, Sinicën, Arrëzën dhe Nikolicën, – vetëm pse këto “nuk jepnin shumë vota”, paçka se ato janë zona të pasura me pyje dhe me atë që quhet ekosistem…
Në të përpjetën për në Dardhë, pasi kalon burimin e Izvorit, gjendet një pistë skish, e vetmja e këtij lloji, – si më tha ndërtuesi i saj, Thoma Tasho, – në Shqipëri. Ky kishte ndërtuar një teleferik, mjedise për veshje dhe për ngrohje; do të merrte edhe një kredi tjetër për të blerë një makineri për dëborë artificiale, në Zvicër. Sepse kishte punë vetëm kur natyra i falte dëborë. Tokën e kishte marrë me qira nga shteti. Kur e pyeta se si ia dilte, mblodhi buzët me dëshpërim e me ca sy të paqmë, si të ndihej fajtor, tha: “E kam pasion… Kam qenë teknik në fabrikën e konservimit në Korçë, po ajo u mbyll e tani i jam dhënë me mish e me shpirt kësaj piste… Dy vajzat i kam çuar në shkollën e sportit, në Tiranë… Ato nuk më lënë ta mbyll”… “Po qeveria dhe bashkia, që po bëjnë gjithë atë investim për Pedonalen, nuk të ndihmojnë? – e pyeta. – Si nuk e kuptojnë që ti me këtë ‘biznes’ do të sjellësh turistë (përfitime) edhe për Korçën?!”
Por absurdi nuk ka të sosur. Në Voskopojë më thanë që restaurimet e kishave dhe ikonave, që janë një pasuri e paçmuar kombëtare, nuk bëhen, edhe kur afrohen donatorë të huaj, sepse kishat janë me “dy pronësi”: edhe të kishës, edhe të Ministrisë së Kulturës. Ish-zyrtarët e “Monumenteve të Kulturës”, që të jepnin leje, kërkonin edhe ata “qarin” apo kaparin… Kështu që qederi, si në shumë raste të ngjashme, i mbeti, si kopili në derë, interesit publik.
***
Qeverisja pa rregulla e ligje, që disa e quajnë “liberalizëm”, nga viti në vit e ka konsideruar qytetarin një numër rendor, një votë të telekomanduar, pa imunitet, pa tru e pa vizion. Kjo mënyrë miope drejtimi (qeverisjeje) nuk e ka për gjë të bëjë edhe veprime antikombëtare, duke diferencuar krahinat, territoret dhe qytetarët moralisht, politikisht, rrjedhimisht edhe ekonomikisht në “me ne” dhe “kundër nesh”, në të mbrojtur e të pambrojtur, në të prekshëm e të paprekshëm. Ndërsa opinionin publik e ka vlerësuar me propagandën që bën, si një enë bosh të cilën partia dhe lideri i saj mund ta mbushin me se të dëshirojnë, qoftë edhe me gënjeshtra e mashtrime të cilat nuk i ha as lopa. Ky lloj “liberalizmi” të lë të ndërtosh e të ngresh një biznes, të marrësh borxhe dhe kredi, të kujtosh se u bëre i pasur… por vjen një ditë një qeveri e re dhe me INUK-un të vë rruspat. Në një shtet normal, të parët të cilëve duhej t’u viheshin “rruspat” dhe hekurat, lipsej të ishin zyrtarët që e patën lejuar këtë batërdi e katandi.
Në asnjë qytet të Evropës nuk të lejon bashkia të ndërrosh as ngjyrën e fasadës, të nderësh rroba në ballkon, të montosh në muret e jashtme pajisjet e kondicionerit, le më kazanët e ujit dhe saçët e antenave… Shqipëria është kandaharizuar jo se drejtuesit kanë qenë injorantë, as se nuk kanë parë Evropë dhe Amerikë me sy, porse kjo situatë atyre u ka leverdisur për tri arsye themelore: 1. Elektorale, d.m.th. për të fituar vota… (P.sh., përse Paskuqani, Bathorja e Kashari votojnë për Berishën, edhe pa bërë fushatë? Se ata banorë kujtojnë që ishte ai që i la të lirë të vinin në Tiranë e të zaptonin “tokat e askujt”…) 2. Se kështu, në këtë “liberalizëm” pa kufi e pa rregulla, pa tavan e pa çati, partiakët e lartë mund të pasurohen vetiu. 3. Se në një anarki të tillë, ku qari me qederin janë të binjakëzuar, ku nuk e njeh as qeni të zonë, ata mund të mbijetojnë më gjatë e më kollaj në pushtet.
Mjerisht, edhe reformat, bëhen apo nuk bëhen, zbatohen apo jo, për fat të keq, deri më sot janë parë, vlerësuar dhe gjykuar po me këtë sy dhe po me këtë interes: kush do të fitojë prej tyre nesër, Basha apo Rama? Sa i leverdisin ato PD-së apo PS-së? Pakkush e ka vrarë mendjen ç’do të përfitojë mbas sodit interesi i përbashkët, publik, kombëtar apo edhe ai rajonal? Kështu, nëse reformat nuk i leverdisin partisë, zjarri t’u bjerë, kurrë mos u bëfshin! Tek ne quhet politikë e suksesshme vetëm kjo!
E pra, është kjo mendësi që ka përcaktuar ecurinë e zhvillimit të ekonomisë dhe të mirëqenies, po edhe të demokracisë, deri më sot. Kaosi mjedisor ka pjellë kaosin social, ashtu si kaosi politik ka shfytyruar harmoninë, bashkëjetesën, standardin, shpresën dhe aspiratën për demokraci. Është provuar më se një herë se një thes me miell, me të cilin familja mund të kalojë një muaj, vlen më shumë se vota, se ardhmëria e shoqërisë. Pikërisht me këtë “mall”, si me një karrem, është kapur peshku që quhet votë. Votë, prej nga buron e më pas ligjërohet autoritarizmi i pushtetarëve.
Po t’i shkohet edhe më tej këtij arsyetimi, sa për ilustrim, premtimet, përurimet, rrugët e reja dhe projektet ambicioze, jo pa qëllim fillojnë të na mësyjnë me tamtame gjithfarëshe e të papërballueshme përgjatë fushatave zgjedhore. Aq e rënduar e vulgare është bërë kjo trysni, sa sot shprehja “asfalt elektoral”, ka hyrë në zhargonin mbarëpopullor duke e zgjeruar dhe kapërcyer kuptimin e saj të mirëfilltë. Kushdo që flet shqip e kupton kësisoj: politikë e suksesshme do të thotë aftësia për t’i hedhur sa më shumë hi syve, ditën për diell, zgjedhësit, popullit.
Sigurisht, për të bërë një të tillë përmbysje nuk mjaftojnë vetëm rruspat e INUK-ut, por reforma të thella, qenësore, përmbajtësore, të cilat do të ndryshojnë mendësinë jo vetëm të qeveritarëve, por edhe të qytetarëve. Pritshmëria është e madhe. Pas një viti qeverisje, shembujt që po jep këto ditë INUK, po nuk e kryhen reformat, sidomos ato në Drejtësi dhe ekonomi, do të duken të pamjaftueshëm e ndoshta do të ngjajnë si i kuqi i buzëve, apo edhe si një tatuazh në një trup të sëmurë. Atëherë qari me qederin do të njëjtësohen jo vetëm për kryetarët përkatës të partive, por për mbarë shoqërinë, gjë që do të thotë, as më pak e as më shumë, po një tjetër dështim.
Një dështim kësaj here me kosto e me përmasa më të mëdha për shkak të humbjes së përsëritur të shansit, por edhe të thellimit të krizës morale; të krizës së (mos) besimit e cila, si e kemi provuar më se një herë në histori, të shkatërron më shumë e më lehtë se kriza ekonomike.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
