Pas qytetarëve të “ngujuar” në shtëpitë e tyre, institucioni i parë i vetëkarantinuar në Kavajë është Shtëpia e të Moshuarve. Që prej datën 12 mars, 61 të moshuar dhe 6 anëtarë të personelit të shërbimit në këtë institucion janë vetëkarantinuar, si masë paraprake për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Për News24 dhe Balkanweb infermjerja Luçie Çela sqaron kushtet dhe situatën në të cilën ndodhen aktualisht të moshuarit dhe personeli që do të mbajë nën kujdes të veçantë, kategorinë më të riskuar nga COVID-19.

“Aktualisht kemi një situatë normale. Kjo është dita e tretë që ne jemi vetëkarantinuar. Brenda kësaj shtëpie janë 61 të moshuar dhe 6 pjestarë të personelit të cilët e morën me dëshirën e tyre vendimin për të qëndruar këtu. Deri tani tek të moshuarit nuk ka asnjë shenjë të koronavirusit, por ne jemi në gatishmëri për çdo situatë”.

Gjatë qëndrimit prej 14 ditësh në karantinë pritet të mos ketë probleme përsa i përket medikamenteve dhe ushqimit pasi edhe për to paraprakisht janë marra të gjitha masat.

“Momentalisht kemi të magazinuara ushqime dhe medikamentet që të moshuarit i kanë përdorur edhe më parë, për sëmundjet që ata kanë. Gjithçka që mund të na nevojitet gjatë ditëve në vazhdim do të na sillet në momentin që do ta kërkojmë”, tha znj. Çela.

Në Kavajë pjesa më e madhe e qytetarëve kanë zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi, por ka pasur edhe nga ata që nuk i kanë rezistuar dot mbylljes.

Duke përfituar nga moti me diell ata kanë dalë shëtitje me bicikleta ose i janë drejtuar familjarisht kodrave të qytetit për piknik apo shëtitje.

Nga ana e saj policia ka marrë masa për ndalimin e qarkullimit të mjeteve duke ndëshkuar shkelësit, me masa disiplinore nga gjoba deri në ndalimin e mjetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb