NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Mbas shfaqjes së filmit të tij “Pretty Village, Pretty Flame” kushtuar luftës së Bosnjës më 1996, Srdjan Dragojevic, nga një palë u kritikua si përfaqësues i një kinemaje fashiste, e nga bashkëkombësit si tradhtar që i nxjerr serbët si kriminelë lufte. Filmi, nuk u fut as në Festivalin e Venecias. Pothuaj 20 vite më vonë, regjisori vjen në Tiranë, shfaq në TIFF (Tirana International Film Festival) filmin e tij “Holiday in the sun” dhe flet për artin e tij, te djeshmin e të sotmin, të mirat e artit sovjetik, qeveritë e drejtuara nga perëndimi, e me gjithë këtë, kaq të ngjashme nga njëra-tjetra si edhe braktisjen e artit nga publiku, mbasi është braktisur më herët nga ministritë. Deputet i parlamentit serb, anëtar jurie në TIFF dhe regjisor filmash të suksesshëm, flet sot në “Gazeta Shqiptare” për kinema bosh, qytete pa kinema.

– Filmi juaj, “Holiday in the sun”, shfaq kapitalizmin e egër të Lindjes. Pse ky film dhe pse me ketë në Shqipëri?
Jam krenar për këtë film, sepse ka kushtuar shumë pak, dhe është një shembull se është e mundur të bësh film pa fonde shtetërore. Ky film është si ata filmat komunistë, në kuptimin që të gjithë merrnim pak para, artistët, autorët, paguheshim njësoj, harxhonim tri javë për të filmuar, kalonim kohë shumë të mirë bashkë, ndaj jam i lumtur të provoj se edhe kjo mënyrë e të bërit film, është po ashtu e mundur. Në vende në tranzicion, në këtë kapitalizmin liberal në Ballkan, është gjithnjë e më e vështirë të prodhosh filma, dhe duhet që secili ti gjejë vetë paratë, në disa pika bëhet si hobi. Filmi trajton historinë e diçkaje më rëndësi: Disa kanë harruar, ndërsa të rinjtë nuk e dinë, se në socializëm, ne kishim resortet e pushimeve për klasën punëtore. Çdo kompani kishte vendin e vet. Punëtorët kishin në këtë mënyrë dy javë pushime falas në verë. Sot, në vend të tyre, ndodhin gjëra si në filmin tim, reklama që u shesin ëndrra njerëzve të zakonshëm. Për të blerë një javë pushime në një resort, ju punoni e paguani gjithë jetën.

– Duke folur për artin sovjetik, ju keni thënë se ai shkonte deri tek punëtorët, ndërsa sot, kur ju lexoni poezitë tuaja, ka vetëm disa gjyshe që ju dëgjojnë. Cili është koncepti juaj mbi artin sovjetik dhe atë sot?
Që kur kam qenë fëmijë jam befasuar nga avangarda ruse, dhe qasja sovjetike ndaj kulturës, besohej se kultura dhe arti nuk i përkasin vetëm elitës, jo vetëm një pakice njerëzish, por shumicës së tyre. Në ish-Jugosllavi, ne kishim pikërisht këtë: Çdo fshat i madh kishte qendër kulturore, me kinema, teatër, bibliotekë, ndërsa sot, 99% e këtyre qendrave kulturore janë mbyllur, u janë shitur klubeve të natës, lotove të sportit, dyqaneve kineze, njësoj edhe në Shqipëri besoj. Tani në Serbi, ka qytete me 30-50-100 mijë banorë, që nuk kanë bibliotekë, shtëpi kulture. Ky është një regres i madh nga koha e socializmit. Jam sigurisht ambivalent sa i takon socializmit: ka pasur aspekte të këqija për të cilat jam i ndërgjegjshëm, por si një njeri që kam 30 vite që jetoj me kulturën, mund të them se arti e kultura në socializëm konsideroheshin më me interes.

– Ju ende mendoni se ka vetëm disa “gjyshe” që e ndjekin artin, ose leximin e poezive apo brezi i ri i afrohet ndryshe artit?
Në vitet 1980, kur botova disa libra me poezi, që u pritën mirë, disa njerëz e donin poezinë. Sot, ka paradokse, që kinematë lokale ku kishte qindra mijëra spektatorë, sot kanë po aq audiencë sa ç’kishte në atë kohë poezia: 2000 njerëz. Është e çuditshme. Ika nga poezia për në kinema dhe filmat e mi ishin popullorë në Serbi dhe në rajon, por unë shoh regres. Filmat e mi kishin 800 mijë spektatorë, tani kanë vetëm 50 mijë. Njerëzit kujdesen gjithë e më pak për artin dhe nuk mund të fajësosh njerëzit. Kinematë janë mbyllur e ka reality show që shihen pa fund.

– Cili është roli i internetit?
Interneti nuk është armik i artit, mendoj se aty e prezanton më mirë artin tënd. Koncepti i televizionit është armik. Ministritë e Kulturës në Gjermani, Francë, a vende të tjera të zhvilluara, e mbështesin artin: luftojnë filmat e lirë amerikanë, mbështesin financiarisht kulturën lokale, trashëgiminë e tyre, kjo ndodh kudo përveçse në Ballkan. Ne kemi kaq tradita e trashëgimi, por qeveritë tona se vrasin mendjen për këtë.

– Ju e thoni këtë si politikan apo si artist?
Po e them këtë edhe si politikan edhe si artist.

– Si e ndani veten mes politikanit e artistit?
Nuk e ndaj. Kam pranuar të jem deputet në parlament sepse kam kritikuar çdo qeveri që prej vitit 1990, i kam kritikuar sepse nuk kanë qenë sa duhet të vëmendshëm ndaj artit. Në fund, vendosa të marr pjesë aktivisht, sepse të ulesh e të kritikosh, është diçka kaq e zakonshme në Ballkan. Të gjithë ulen në kafene e kritikojnë, ankohen për jetën, për qeverinë. E vetmja gjë racionale që duhet bërë nëse do të bësh diçka është të bëhesh pjesë e politikës. Jam anëtar i parlamentit, e mes nesh ka pak që vijnë nga kultura. Si në shumë vende në krizë, kultura e arti nuk janë përparësi, por po përpiqem të popullarizoj dhe të luftoj për implementimin e disa ligjeve të rëndësishme, që do të ndihmonin kineastët, piktorët, njerëzit e teatrit. E konsideroj veten si përfaqësues i 30- 40 mijë vetëve që në mënyrë aktive merren me kulturë në vendin tim.

– Do keni film ku kritikoni qeverinë aktuale?
Ne jetojmë në demokraci, dhe cilido lejohet të kritikojë këdo, por pyetja është: A mund të gjeni para për ta bërë këtë? Dhe, nëse unë i kritikoj, kujt i plas për këtë?

– Sepse në demokraci thuhet gjithçka, por askush nuk do t’ia dijë për ato që u thanë?
Sigurisht. Mund të bësh filma për çfarë të duash, por njerëzit do shohin reality show. Nuk është çështje e të kritikuarit. Tek filmi “Parada”(që ndihmoi kundër homofobisë), unë nuk kritikoj, unë tregoj historinë e tolerancës, mënyrën si ti afrohemi një qenie tjetër, paçka se cila është diferenca mes tyre. I shoh filmat i mi si armë politike, në përpjekje për të ndryshuar shoqërinë për mirë. Filmat janë një lloj propagande e mirë.

– Filmi juaj “Pretty village, pretty flame” ju kushtua luftës në Bosnjë. Jeni kritikuar si njeri i kinemasë fashiste dhe nga ana tjetër, edhe si denoncues i luftës, si ‘tradhtar’. Ju ishit ndonjëri nga këta që u akuzuat?
Ai film për luftën në Bosnjë u bë herët, ne e xhiruam më 1995, ishte para marrëveshjes së Dayton-it në Bosnjë ndaj kur xhiron një film për diçka kaq të ndjeshme, është normale të ketë reagime kontroverse. Njerëzit në Serbi e urryen filmin sepse më thanë je tradhtar, t’i i nxjerr njerëzit e tu si kriminelë lufte, dhe shumë njerëz në Kroaci e në Bosnjë e urryen, por e urryen më shumë nacionalistët. Sot, 20 vite më pas, filmi mbeti dhe të gjithë e pëlqejnë, edhe ata që e kritikuan atëherë e vlerësojnë sot. Është e vështirë të flasësh për një film pas premierës, ka nevojë për kohë që të gjykojë artin.

– Cili ishte problemi i filmit në Festivalin e Venecias?
Kur bën një film si serb, nga këndvështrimi serb, sigurisht, që fytyra jote do ketë stereotipe. Ne u përpoqëm të jemi objektivë: Ku të dy palët në film u panë si problematikë. Vlerësimi më i madh ka qenë fakti që të dyja palët në konflikt e urryen filmin. Kjo është prova se filmi ishte i ndershëm. Reagimi i selektorëve është një nga më të këqijtë që ne kemi pasur, e për të ka pasur reagime të mëdha. Ai është konsideruar si një nga 20 filmat më të mirë mbi luftërat në historinë e kinemasë, nga revista britanike “Sight & Sound”, etj. Unë do isha i shqetësuar nëse të gjithë do e donin filmin tim.

– Në vitin 1999, kur Serbia po bombardohej, ju ikët në SHBA. Pati polemika për vizitën tuaj. Si i mbani mend ato kohë?
Unë shkova në SHBA pas bombardimit, dhe pata një ftesë nga një studio filmike e SHBA-së. Për mua ishte interesante, të ikja nga Ballkani, në një ‘planet’ tjetër. Mbijetova dy vite atje, por pashë s’ka oksigjen dhe u ktheva. Me gjithë problemet e Ballkanit, mendoj se ne kemi më shumë të përbashkëta se sa të ndryshme.

– Jeni artist, regjisor, keni studiuar psikologji klinike dhe jeni deputet. Ku jeni ju më shumë?
Kam qenë, poet e shkrimtar, jam skenarist, kam bërë libër për fëmijë. Më pëlqen të jem në profesione të ndryshme, ndryshe jeta do ishte e mërzitshme, pra po të bëje vetëm një profesion.

– Për shkak të kritikave ndaj qeverive, nuk u janë dhënë fonde për filmat. Sot, cilat janë kritikat tuaja?
Arti nuk është propagandë, kritikohet jo vetëm qeveria, por ato procese të dëmshme në shoqëri.

-Cila nga qeveritë tona është e pavarur?
Ne të gjithë jemi të drejtuar nga BE apo SHBA. Çfarë fitimi kemi po të kritikojmë qeveritë? Kritikoni botën, shoqërinë ku jetojmë, globalizimin, kapitalizmin liberal, moralin e etikën. Kush është i interesuar të kritikojmë qeveritë, sepse çdo qeveri që vjen, është e ngjashme me atë që ishte? Kush do e humbte kohën e energjinë?

– Keni ndonjë film tjetër në dorë?
Po punoj në një film që bazohet në novelën e shkrimtarit britanik Julian Barnes, “The porcupine” që merret me presidentin komunist bullgar, një film për socializmin, kapitalizmin, një film mbi ambivalencën e regjimit ku kam jetuar.

– Ndonjë film për Shqipërinë, Kosovën, luftërat?
Do doja të xhiroja një skenë para Sheratonit për filmin tim “The porcupine”. Dua të bëj një bashkëprodhim me Shqipërinë, por s’e di sa do arrij.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb