Kryeministri Edi Rama deklaroi se askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë në vendin tonë, ku dita ditës shtohen rastet e të prekurve me COVID-19.
Në një intervistë për ‘News24’ kreu i qeverisë pohoi se askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë, ndërkohë theksoi se e vetmja gjë që u ngelet qytetarët është që të respektojnë masat e vëna.
“Po ju kujtoj një shprehje të Profetit Muhamed. “Paqja e Zotit qoftë mbi të. Që thotë se kur bie një epidemi, mos ik nga aty ku je, dhe nga ana tjetër; mos shko atje ku ka rënë. Nëse të gjeti atje ku je, mbyllu. Nëse je diku ku s’ka rënë, mos shko”. Kjo është porosia e Profetit. Dhe porosia e OBSH, dhe nga ana ime. Jo si ekspert, por si njeri që kam detyrimin për të sjell ato që më autorizojnë. Mjekët që janë në spitalin Infektiv s’janë të frikuar nga përballja me sëmundjen, por nga sjelljet e gabuara të njerëzve, nga tradhtia e atyre që nuk respektojnë ligjin e luftës. Dhe atyre që pyesin se sa do zgjasi…Unë them se duhet ta mbledhim mendjen top dhe të kujtojnë gjyshërit tanë që luftuan dhe jetuan në kohë lufte, disa vjet, që i mori Shqipërisë 28 mijë njerëzish, djem dhe vajza, me plagë nga plumbat dhe që plagosi kushedi sa të tjerë. Pa kërkuar qiqra në hell të atyre llojeve, të atyre që nuk shohin bombat, gropat që hapen nga bombardimet. Kjo s’do të thotë se e gjitha që nuk shohim s’po ndodh. Po ndodh. Ne na kërkohet që secili të bëhet ushtar, duke ndenjur pa lëvizur kot nga vendi. Se kur do të mbarojë kjo, nuk e di askush. Unë fall nuk hedh. Askush nuk di asgjë. S’kemi luksin që të bëjmë eksperimente. Ne morëm masa ekstreme, se jemi më të dobëtit. Ishim të parët që ikëm me vrap. Superfuqitë ikën me vonesë, por kam dhjam plotë.”, theksoi ai.
(BalkanWeb)
