* Dyshime se karburanti eshte derdhur nga ndonje anije
* Ministri Koka inspekton situatën: Do penalizohen shkaktarët
* Asnjë prej anijeve në port nuk është shkaktare për ndotjen

DURRËS-Një pjesë e bregdetit të Durrësit është ndotur masivisht nga derdhja e një sasie te madhe karburanti. Zona e ndotur evidentohet nga sektori Iliria deri tek sektori Teuta. Zyrtarisht flitet per 2.5 km bregdet të ndotur, pa përmendur erën e rëndë që ka pushtuar zonën e plazhit. Nuk dihet dëmi në gjallesat nënujore, por banoret shprehen se nuk eshte hera e pare qe nafta del ne breg te detit, por një sasi e tillë si ditën e sotme nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Që në orët e para të mëngjesit banorët kanë evidentuar ujin e zi në zonën e plazhit dhe kanë njoftuar autoritetet vendore. Kritike situata paraqitet sidomos në zonën e sektorit ‘Iliria’.
Banorët shprehen se janë të shqetësuar rreth ndotjes, pasi sasia e karburantit është e madhe, por nuk kane dijeni se cfare e ka shkaktuar kete.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj shprehet se dyshimet e para bien mbi ndonjë anije mund të ketë derdhur sasi hidrokarburesh në det dhe më pas uji e ka nxjerrë në zonën e plazhit.

Ndërkaq banorët shprehen se sasia e karburantit në det dhe në rërë është aq e madhe sa era e rëndë e naftës ndihet disa metra larg vendit të ngjarjes. Banoret shprehen se nuk eshte hera e pare qe nafta del ne breg te detit, por një sasi e tillë si ditën e sotme nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

“E pamundur te qendrosh, bllokohesh. Ka pasur shenja qe anijet mund te kene ndotur pak, por si kjo radhe, nuk eshte pare dhe degjuar kurre. Nuk e kemi pare rren e plazhit kurre keshtu”, thane banoret e shqetesuar mbi kete situate.

PËRFUNDON KONTROLLI, ASNJË PREJ ANIJEVE NË PORT NUK ËSHTË SHKAKTARE PËR NDOTJEN
Ora 17:40- Grupi i inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit ka inspektuar dy anijet që ndodhen në radë në Portin e Durrësit. Në përfundim të kontrollit ka rezultuar se asnjë prej tyre nuk është shkaktare për ndotjen me karburant të 2.5 km bregdet në zonën e Plazhit të Durrësit. Ndërkohë që fillimisht u dyshua se një prej tyre ishte ndotësja. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se “në port janë vetëm 2 anije të ankoruara, dhe 1 nga to ka shumë gjasa të jetë ndotësja”. Ministri paralajmëroi se sapo strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të mbyllin hetimet shkelësit do të vihen para ligjit dhe ndëshkimit që ligji parashikon.

Ministri Koka
Ministri i Mjedisit Lefter Koka është nisur me urgjencë për të inspektuar situatën, ndërsa apelon se do të penalizohen shkaktarët e ndotjes masive në bregdetin e Durrësit.
Ministri Koka u shpreh se 2.5 km vijë bregdetare është ndotur masivisht nga nafta. Ai vë në dukje se për situatën është lajmëruar personalisht nga banorë të Plazhit. Sipas tij strukturat shtetërore janë në gjumë përballë kësaj situate. “Para situatës strukturat e shtetit u gjendën në gjumë. Shefi i kapitenerisë nuk është përgjigjur për situatën”.

Më tej Koka bën me dije se janë marrë mostrat e ndotjes së shkaktuar dhe analizat do të përacktojnë se për cfarë bëhet fjalë konkretisht. Ndërkaq, Koka ‘kërcënon’ se deri të hënën të dalin përgjegjësit e situatës përndryshe do i propozojë kryeministrit masa.
“ Pikë së pari gjej rastin t’ju falënderoj që të gjithë së bashku jemi bërë rojtarë të mjedisit në Shqipëri.

Ky rast është ndër më flagrantët, është situatë me të vërtetë e rënduar, një sasi e konsiderueshme vaji dhe nafte ndodhet në plazhin e Durrësit. Në zonë ndodhen gjithë institucionet përkatëse, ekipi i Ministrisë së Mjedisit, ekipi i AKM që kanë marrë mostrat për të bërë analizat, ISHMP, struktura të Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Kapitanerisë së Portit Durrës dhe gjithë strukturat e shtetit janë këtu në zonën e ndotur. Nga vlerësimi paraprak ndotja është në rreth 2.5 km vijë bregdetare. Besoj se kjo ngjarje jo vetëm sot, tregon se ne jemi të papërgatitur e paraprirë situata të tilla, unë e kam përsëritur shpesh në Mjedis më i rëndësishmi është parandalimi. Më vjen keq të them se shumë mjete lundruese e detare të huaja apo shqiptare bregdetin tonë e konsiderojnë si vend shkarkimi për mbetje. Dëmi është shumë i madh jo vetëm për banorët që jetojnë këtu, por  edhe për vlerën turistike që ka ky bregdet si dhe për peshkimin që është aset i vyer ekonomik. Uroj të jetë rasti i fundit Jashtë natyrës sime kam komunikuar me shumë institucione, më vjen keq që s’kam mundur të kontaktoj me kapitanerinë e Durrësit, si institucion qendror, gjithsesi të gjithë institucionet e tjera janë këtu prezent. Ju garantoj që do angazhohem që shkelësit që ndotën të gjenden e të ndëshkohen dhe do vëmë para përgjegjësisë dhe institucionet që nuk kanë monitoruar. Në rolin e Ministrit të Mjedisit ndihem keq që nuk e kemi parandaluar dot këtë situatë, por ju siguroj që përgjegjësit do të vihen para ligjit e do të bëj maksimumin për të ndëshkuar shkaktarët. Ashtu si në fushat e tjera, edhe në Mjedis ka ligje por janë njerëzit ata që nuk e zbatojnë. Edhe në rastin në fjalë është po kjo situatë. Do na duhet të bëjmë analizën e plotë të situatës nëse do të na duhet të ndërhyrë. Unë jam këtu dhe mund të shihet lirisht me sy rëra dhe deti janë të nxirë. Duhet të jemi më operativë në funksionim të ligjeve, ne nuk mund të ndërhymë vetëm pasi ndotet. Ligjet në mjedis janë për të parandaluar, pasi kur ambienti ndotet kostot janë shumë të larta dhe pavarësisht ndërhyrjes, ndotja lë gjurmë. Ne si qeveri duhet të jemi operativë, kjo situatë na vë para përgjegjësisë, ndaj i kërkoj Ministrive të linjës të jenë operativë . Kemi rreth 1 vit që kemi çuar për mendim VKM-në, ku kërkohet pikërisht ndryshimi i taksave të anijeve për ndotjet, dhe sot përballemi në këtë situatë. Ne duhet të veprojmë sipas parimit, që unë kam besuar gjithmonë në çështjet mjedisore ‘Ndotësi Paguan’.

Nga komunikimi që  pata me Ministren e Mbrojtjes i kërkova koleges sime të na mbështesë për të lehtësuar situatën me ekipet e specializuara në varësi të saj si dhe me helikopterë për të monitoruar situatën nga ajri. Në port janë vetëm 2 anije të ankoruara, dhe 1 nga to ka shumë gjasa të jetë ndotësja. Sipas ligjeve në fuqi, sapo strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të mbyllin hetimet shkelësit do të vihen para ligjit dhe ndëshkimit që ligji parashikon”, deklaroi Koka.

PEZULLOHET AKTIVITETI I PESHKIMIT, PANARITI PËR NEWS24: NDOTJA SHUMË E RËNDË, PËRGJEGJËSI PENALE PËR NDOTËSIN
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ka urdhëruar pezullim të aktivitetit të peshkimit. Urdhri ka ardhur pas lajmit për ndotjen e madhe në bregdetin e Durrësit. Sipas këtij urdhri deri në përfundim të analizave nuk do të lejohet peshkimi në zonën e ndotur. Nga ana tjetër, Ministri Panariti gjithashtu ka urdhëruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të analizojë mostrat e peshqve dhe molusqeve. “Të merren mostra të peshqve dhe molusqeve. Mostra në zonën e ndotur për analiza”, ka urdhëruar Panariti.

Ministri i Panariti në një lidhje telefonike për News24 tha se situata e krijuar nga ndotja në Durrës është shumë e rëndë. Ai deklaroi se ka urdhëruar pezullimin e peshkimit në një sipërfaqe rreth 5 km linearë dhe se ndërkohë mostra të peshqve dhe molusqeve po i nënshtrohen analizave. Ndërkohë Panariti parashtroi edhe dy mundësi për heqjen e karburantit nga uji, siç janë përdorimi i tamponëve apo përdorimi i tretësve organikë për zbërthimin e naftës.

“Urdhërova pezullimin e peshkimit. Kërkova të merren mostra nga gjallesat. Ndotja në bregdet është shumë e rëndë. Mund të ketë masa të ndryshme për

kufizimin e vendit të ndotjes. Mund të vendosen copa sfungjeri për heqjen e naftës. Duhet parë më kujdes edhe për përdorimin e ndonjë tretësi organik për të zbërthyer naftën. Jam i sigurt që organet përkatëse të Ministrisë së Mjedisit po i shikojnë të gjitha këto opsione. Kryesorja të identifikohet burimi i ndotjes dhe të vihet para përgjegjësisë penale ndotësi”, deklaroi Panariti.

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave tha gjithashtu se shteti duhet të krijojë plane të kontigjencës për të qenë të përgatitur në raste të tilla. “Ndodhemi në një situatë kërcënuese. Duhet të përgatitemi për të mbrojtur detin, plazhet nga situata katastrofike. Strukturat e emergjencës civile duhet të jenë të përgatitura. Rast i mirë edhe për organizatat mjedisore. Në krye të punëve duhet të jenë strukturat e pushtetit lokal dhe emergjencat civile për të reduktuar pasojat e kësaj ngjarjeje. Peshkimi është ndaluar në një zonë që shkon 5 km linearë, më e madhe se ndotja. Koordinatat e sakta i ka Inspektorati i Peshkimit, deri sa situata të sqarohet pas analizave”, u shpreh ai.

Gjithashtu Panariti tha se për përballimin e kësaj situate duhet një koordinim i të gjitha strukturave.

“Unë mendoj se duhet një koordinim i të gjitha strukturave, nuk është përgjegjësi vetëm e një institucioni. Ministria e Mjedisit po monitoron situatën dhe po e ndjek hap pas hapi. Kjo është situatë e emergjencës civile. Duhet të mobilizohemi për përhapjen e ndotjeve dhe për të marrë masa për detoksikimin e ujit dhe rërës. Ne nuk kemi mjete të sofistikuara por diçka mund të bëhet me tamponë sfungjeri etj që të minimizojnë sipërfaqen. Pasi të jetë reduktuar sipërfaqja edhe mund të digjet. Ndotjet me hidrokarbure e bëjnë zonën të rrezikshme dhe të vështirë për të qëndruar. Nafta sublimohet me shpejtësi të madhe dhe shkakton erë të padurueshme në zonë, ndaj duhet ndërhyrë sa më parë për të minimizuar pasojat nga kjo ndotje”, deklaroi ai.

(d.b/m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb