Kreu i PD, Lulzim Basha ka uruar Maqedoninë e Veriut pasi sot ajo u bë zyrtarisht anëtarja e 30-të e NATO-s.
Basha shprehet se ky është një proces i vonuar por tërësisht i merituar pasi Maqedonia e Veriut do jetë vlerë e shtuar për Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Po ashtu lideri opozitar shqiptar thekson se shpreson që Aleancës t’i bashkohen edhe vende të tjera të rajonit.
Pas shumë përpjekjesh, Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s ku një rol kyç në këtë process luajti marrëveshja e Prespës me ndryshimin e emrit teksa DASH po sot deponoi protokollin për anëtarësim.
Prej të hënës dhe në vijim flamuri maqedonas do jetë mes 30 shteteve anëtare të NATO-s.
Mesazh i kryetarit te PD Lulzim Basha për anëtarësimin ne NATO te Maqedonise se Veriut
Kam kënaqësinë të uroj përzemërsisht, fqinjin tonë, autoritetet shtetërore, vëllezërit dhe motrat tona dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mirëseardhjen në familjen e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Pa asnjë mëdyshje, ky është një proces i vonuar, por një arritje plotësisht e merituar, një ngjarje historike për MV dhe me peshë gjeostrategjike për NATO-n, që do të shërbejë si një vlerë e shtuar për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë. Uroj dhe besoj fort që shpejt aleancës sonë t’i bashkohen edhe vendet e tjera të rajonit, dhe që politika e sukseshme e zgjerimit të NATO-s në rajon, të shërbejë si shembull për procesin e anëtarësimit të vendeve tona mbi bazë të meritës në Bashkimin Europian.
(BalkanWeb)