* Vangjush Dako: Plazhi është pastruar, ftoj pushuesit dhe turistët të vijnë

* Komandanti i Forcave Detare: Ndotja është e vogël

DURRËS – Nis pastrimi i vijës bregdetare në Durrës, e cila është ndotur masivisht si pasojë e shkarkimit të hidrokarbureve. Përgjatë mbrëmjes së djeshme fadromat e komunales kanë pastruar brezin e parë të rërës, ndërkohë që ende nuk është bërë e mundur pastrimi i ujit.

Sipas Drejtorit të Komunales së plazhit, Esat Kapllani janë angazhuar disa punonjës për pastrimin e vijës bregdetare. Ndotja nga sektori ‘Iliria’ deri tek sektori Teuta, u konstatua mëngjesin e kësaj të shtune. Bëhet fjalë për 2.5 kilometra zonë bregdetare, dhe dyshimet e para për ndotjen bien mbi ndonjë anije, e cila mund të ketë derdhur sasi hidrokarburesh në det dhe më pas uji e ka nxjerrë në zonën e plazhit. Banorët dhe pushuesit që frekuentojnë këtë zonë ankohen për erën e rëndë, që është përhapur kudo.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka nisur monitorimin nga ajri të zonës. Kjo gjë është pohuar edhe nga ministrja Mimi Kodheli përmes një postimi në ‘Facebook’. Kodheli bën të ditur se një helikopter i Forcës Ajrore dhe një kontigjent prej 30 trupash është vënë në dispozicion për të evidentuar dhe për të ofruar zgjidhje për qytetaret. Sakaq, ndaj kësaj ngjarje ka reaguar edhe kreu i PD në Durrës, Osman Stafa, i cili e konsideron ndotjen të qëllimshme si pasojë e luftës së brendshme që bëhet në Autoritetin Portual, për të ardhurat financiare.

Sakaq, deri më tani nuk dihet dëmi i shkaktuar tek gjallesat nënujore. Ndërkaq, dyshimet e para bien mbi ndonjë anije, e cila mund të ketë derdhur sasi hidrokarburesh në det dhe më pas uji e ka nxjerrë në zonën e plazhit.

Dje, grupi i inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit inspektoi dy anijet që ndodhen në radë në Portin e Durrësit. Në përfundim të kontrollit rezultoi se asnjë prej tyre nuk është shkaktare për ndotjen me karburant të 2.5 km bregdet në zonën e Plazhit të Durrësit. Ndërkohë që fillimisht u dyshua se një prej tyre ishte ndotësja.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka paralajmëroi se sapo strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të mbyllin hetimet, shkelësit do të vihen para ligjit dhe ndëshkimit që ligji parashikon.

BYLYKBASHI: KRIM MJEDISOR, QEVERIA DËSHTOI NË MENAXHIMIN E SITUATËS
Deputeti i Partisë Demokratike në Durrës, Oerd Bylykbashi ka reaguar për situatën në bregdetin e Durrësit, si pasojë e ndotjes nga hidrokarburet. Në deklaratën e tij, Bylykbashi thotë se strukturat shtetërore kanë dështuar në menaxhimin e situatës.

Deputeti demokrat thotë se ende nuk është mbledhur Shtabi i Emergjencës.

“Nuk është mbledhur as qendra operacionale detare. Ky është një krim mjedisor, më i rëndi i ndodhur ndonjëherë. Ky që po bëhet nuk është pastrim”, u shpreh Bylykbashi.

DAKO: PLAZHI ËSHTË PASTRUAR, FTOJ PUSHUESIT TE VIJNE. KOMANDANTI I FORCAVE DETARE: NDOTJA ËSHTË E VOGËL
Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka komentuar paraditen e sotme situatën e krijuar nga ndotja me hidrokarbure në vijën bregdetare, duke u shprehur se deri tani është pastruar zona e plazhit. Dako ndërkaq ka ftuar pushuesit dhe turistët që të pushojnë në bregdetin e Durrësit.

Ndërsa komandanti i Forcave Detare, Ylber Dogjani, shprehet se ndotja në vijën bregdetare të Durrësit është e vogël.

Dogjani shprehet se po vijon puna për normalizimin e situatës, duke shtuar se një anije anti-ndotje po thith mbetjet e hidrokarbureve.

(ed.me/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: