NGA OLA MITRE
TIRANE-*Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim ka rifreskuar emrat e stomatologëve dhe farmacistëve, të cilët kanë përmbushur detyrimet për programin e ricertifikimit. Kjo do të thotë se ata nuk do të jenë objekt i penalizimeve që parashikon me nr. 295, datë 08.07.2014, i ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pasi kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve në harkun kohor 5-vjeçar (2010-2014). Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon të plota listat me emrat e mbi 2000 profesionistëve të shëndetësisë, ndërkohë që stomatologët dhe farmacistët që nuk e gjejnë emrin në to, kanë kohë deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti për të përmbushur detyrimet.

Programi i ricertifikimit parashikon se në total stomatologët dhe farmacistëtduhet të grumbullojnë 100 kredite. Ndërkohë që infermierët që punojnë në sistemin shëndetësor nuk marrin pjesë në Programin e Ricertifikimit 2010-2014 e për pasojë nuk kanë detyrim ligjor për të mbledhur kredite. Sipas QKEV-së, ata mund të marrin pjesë në aktivitete të edukimit në vazhdim që rrisin dhe përmirësojnë cilësinë e shërbimit të tyre vetëm nëse dëshirojnë.
Penalizimet
Ndërkaq, sipas vendimit të Beqajt, atyre profesionistëve që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca, ndërsa që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Për profesionistët e sektorit privat, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV.

Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërkohë që profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve iu pezullohet licenca. Ata fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.
Emrat tek GazetaShqiptare ne Print
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb