TIRANE – “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, kështu e ka cilësuar Partia Socialiste vijimin e operacioneve, që sipas kryeministrit Rama do të garantojnë zhdukjen e “kancerit” dhe mos trashëgimin e tij tek gjenerata tjetër.
Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar në Durrës, duke iu referuar aksioneve të ndërmarra nga qeveria, kryeministri theksoi se kjo maxhorancë mund të thotë sot me rezultate “ja pse kemi të drejtë që kemi ndërmarrë këtë rrugë kaq të vështirë që askush përpara nesh nuk pati kurajën ta imagjinojë dhe jo ta ndërmarrë, por zgjodhi për të mbyllur sytë përpara rrënimit të vazhdueshëm, me qëllim që të zgjaste sa më shumë qëndrimin në pushtet”.
Kryeministri iu përgjigj akuzave për mosmbajtjen e premtimeve, sikundër ishte shëndetësia falas, duke thënë se qeveria nuk ka instrumente çudibërës apo formula magjike, pasi për të arritur tek qëllimi, më parë duhet të ndërtohet e gjithë ngrehina e sistemit.
“Si mund ta kemi sot shëndetësinë falas nëse nuk ndërtojmë të gjithë ngrehinën e sistemit që na duhet në dispozicion për të kaluar tek faza përmbyllëse që është dhënia e shërbimit, që pavarësisht ke apo s’ke, je këtu apo je atje”- tha kryeministri.
“Asnjë njeri i arsyeshëm nuk mund të presë që qeveria, cilado qeveri qoftë, të disponojë instrumente çudibërës apo formula magjike që një situatë si ajo që ne trashëguam vendin të përmbyset. Çdokush që administron një shtëpi apo jeton në një shtëpi që administrohet nga prindërit, nuk ka nevojë për diplomë për të kuptuar që administrimi i një shtëpie dhe përmirësimi i kushteve kërkon qartësi në planifikim, vendosmëri në çuarjen përpara të planit duke siguruar të ardhurat për ta bërë planin realitet dhe kërkon sakrifica dhe durim.”- tha Rama.
Më tej kryeministri theksoi nevojën e “rritjes së fuqisë politike dhe morale në mbështetje të operacionit për të pastruar më tej Shqipërinë.”
“Ky operacion garanton se sektorët jetikë të vendit nuk do të vazhdojnë të degradojnë, por përkundrazi do të nisin rrugën e një ripërtërije me faza dhe do të japin për këtë organizëm një energji të re, një forcë të re dhe sigurisht edhe mundësinë për të arritur objektiva, për të përmbushur shpresa që bëheshin gjithmonë e më të pamundura”- tha Rama.
Nga ana tjetër, kreu i Ekzekutivit pohoi se në këto 25 vite nuk është bërë aq shumë për pastrimin e vendit, sa në dy vite qeverisje nga e majta.
“Kemi pastruar sa nuk është pastruar deri në 25 vite bashkë. Duhet të vazhdojmë të pastrojmë, dhe për të pastruar më tej e kemi të domosdoshme që të jemi sot më shumë se dje. Të vendosur për ta çuar deri në fund këtë punë. Nuk është një punë që ne e kemi zgjedhur sepse është një punë që na jep kënaqësi të madhe duke parë se sa shumë plagë duhen pastruar, duke llogaritur dhe dhimbjet që ato shkaktojnë. Nga ana tjetër kjo është e vetmja punë që mund të bëhet për Shqipërinë sot. Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Rruga tjetër është ti hapim rrugët, krimit paligjshmërisë, mundësive për marrëdhënie të deformuara midisi shtetit dhe individit dhe ri përhapjen e një metastaze të një kanceri që kishte marrë nën zotërim gjithë sektorët.”, theksoi ai.
Rama deklaroi se e vetmja frikë e qytetarëve para dy viteve ishte kriminaliteti. “Dy vite më parë kur ishim në fushatë elektorale kryefjala e njerëzve ishte; na mbyti krimi, të fortët, paligjshmëri. Sot, sigurisht, ka ende punë për të bërë për të pastruar më tej dhe këtë e thonë faktet dhe këtë e ndjejnë njerëzit. Rruga është e duhura dhe që operacioni ka bërë progres të konsiderueshme.”, tha kryeministri.
(vijon)
(er.nu/BalkanWeb)
