TIRANE- Kryeministri Edi Rama nga qyteti i Durrësit i është përgjigjur në mënyrë indirekte studentëve që protestuan sot para Kryeministrisë kundër Reformës në Arsim e Lartë. Sipas kreut të Ekzekutivit, të gjithë ata që janë skeptikë sot nga kjo reformë, ‘do t’ja shohin hajrin’.

Teksa theksoi rëndësinë e ndryshimeve rrënjësore në sistemin arsimor në vend, Rama pohoi se do i jepet mundësi universitetit që të kalojë në një shkallë të re.

“Kemi arritur të pastrojmë një sistem arsimor, përmes një reforme që do ja shohim hajrin të gjithë. Edhe ata që sot nuk janë të bindur sot. Është një reformë që i jep mundësi universitetit që të kalojnë në një shkallë të re.”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama pohoi se në sajë të reformimit të sistemit arsimor u hoqën 8 mijë tekste, të cilat sipas tij i prodhonte injoranca. “Janë mbi 8 mijë tekste që janë hequr, që i prodhonte injoranca, batërdia, pa ambicien më të vogël. Kemi futur në Shqipëri tre shtëpi botuese nga më të mirat në botë. Kemi arritur që të pastrojmë tumor të madh, atë të universiteteve private, që ishin vetëm fabrika diplomash.”, tha Rama. Sakaq, ai shtoi se nuk bëhet fjalë për transformime çudibërëse, por për hapa konkrete.

“Sigurisht, që sot nuk jemi në kushtet që mund të themi se çfarë transformimi çudibërës bëmë në arsim, nuk jemi. Por jemi në kushtet të themi se si ka filluar të marrë frymë ky organ jetik i trupit të shoqërisë, ekonomisë së vendit që ishte i mbushur me metastazat e korrupsionit dhe bastisjes nga ana e qeverisë. Mjafton t’ju kujtoj që kemi kaluar në një fazë të re për garantimin e shërbimit të ri për mësuesit. Do kalojmë vit pas vitit drejt një shkolle ku mësuesi rifiton autoritetin e vetë si një figurë kyçe. Nuk është më mish për tokë që merrje e hiqej, ngrihej e dërrmohej sipas nevojave të ditës, qofshin politike, qofshin të korrupsionit apo injorancës. Kemi shpëtuar fëmijët e këtij vendi nga batërdia e teksteve shkollore.”, theksoi Rama.

Sot, qindra studentë dolën në protestë për të kundërshtuar për të disatën herë reformën dhe ligjin e ri për arsimin e lartë. Protesta u organizua nga ‘studentët e lëvizjes ‘Për Universitetin’ dhe të rinjtë kanë marshuar nga Universiteti Politeknik drejt Kryeministrisë, të cilët u ulën këmbëkryq në Bulevard. Në protestë morrën pjesë edhe pedagogë.

Protesta vjen pak ditë pas reagimit të dhunshëm ndaj kryeministrit Edi Rama kur i gjuajtën me vezë në Fakultetin e Shkencave Sociale, në kundërshtim për reformën në arsimin e lartë dhe rritjes së tarifave. Me parulla në duar kundër “Për Universitetin, për shoqërinë”; “Arsim publik falas” me thirrje kundër reformës “S’ka më heshtje, s’ka më pritje, por ka vetëm brohoritje” dhe fishkëllima, studentët i janë drejtuar Kryeministrisë.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: