Ambasadorja amerikane e SHBA, Yuri Kim në kuadër të muajit të Ramazanit ka kryer një videokonferencë me kreun e KMSH, Bujar Spahiun.
Kim uroi fillimisht Spahiun për muajin e Ramazanit si dhe shprehu konsideratën për institucionin e KMSH duke e quajtur si partner strategjik të SHBA në Shqipëri.
STATUSI NGA KMSH
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Bujar Spahiu ka zhvilluar një takim online me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, znj. Yuri Kim.
Gjatë këtij takimi online kryetari KMSH-së i uroi znj. Kim mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e saj të re.
Në vijim z. Spahiu e njohu ambasadoren Kim me historikun e KMSH-së, ecurinë e tij gjatë këtyre viteve, sfidat e institucionit si dhe rrjetin arsimor të KMSH-së, me Medresetë dhe Universitetin Bedër.
Ai gjithashtu falënderoi ambasadën e SHBA-ve në Shqipëri për bashkëpunimin e ngushtë në projekte të ndryshme.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim fillimisht e uroi z. Spahiu dhe besimtarët mysliman për muajin e Ramazanit. Më pas ajo shprehu konsideratën e saj të lartë për institucionin, vlerat që përfaqëson dhe rolin që luan në Shqipëri.
Znj. Kim e siguroi kryetarin Spahiu për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e cilësoi KMSH-në si një partner strategjik të SHBA-ve në Shqipëri.
(BalkanWeb)