* Rama: Do t’i tërheqim inspektorët e tatimeve, kontrolli i bizneseve do bëhet me sistemin e ri
TIRANE– “Bizneset që kanë xhiro deri në 50 mijë dollarë në vit, nuk do të paguajnë asnjë taksë”. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në një konferencë të zhvilluar me biznesin e vogël në Kryeministri. Rama tha se ky është rezultat i reformave të dhimbshme dhe e operacionit për organizmin e sëmurë.

“Ne jemi gati që këtë rezultat të parë, këtë ndryshim të dukshëm që do të vazhdojë por që në këtë fazë është i mjaftueshëm për të kuptuar se kemi kthyer rrugën në drejtimin e duhur ta kthejmë në një përfitim për ju në radhë të parë. Kemi sot një fashë xhiroje nga 0-20 mijë dollarë që do ta ndryshojmë, do ta kthejmë një fashë nga 0-50 mijë dollarë në vit. Të gjitha bizneset do të çregjistrohen nga tatimi. Nuk do të paguajnë më asnjë taksë. Deri sot paguanin deri në 250 mijë lekë, tani s’do paguajnë më. Dakord, ju pëlqen?”, ka thënë kreu i qeverisë.

Ai tha më tej se “të gjitha bizneset nga 0 deri në 8 mln lekë do të duhet ta paraqesin fatura të rregullta tatimore. “Nga sot me hyrjen në fuqi javët e ardhshme të gjithë këtij plani, ne i konsiderojmë bizneset e vogla aleatë. Pra, deri në 5 mln lekë xhiro nuk ka më taksa, zero. Në kushtet e qytetarëve të mirë duhet të paguajnë sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe të japin kuponin tatimor”, tha Rama.

Më tej kryeministri ka paralajmëruar ulje të taksave edhe për fashat e tjera. “Fasha e xhiros nga 5-6 mln lekë. Në këtë rast ka paguar një tatim të thjeshtuar mbi fitimin me 7.5%, 1mln e 355 mijë lekë dhe do të paguajë 900 mijë lekë. Vijmë tek 6-7 mln lekë, ka paguar 1 mln 722 mijë lekë, do të kursejë mbi 500 mijë lekë. Edhe fasha nga 7-8 mln lekë do të kursejë rreth 700 mijë lekë”, u shpreh ai.

Ja pse duhen duruar edhe dhimbjet edhe kostot e reformave- theksoi kryeministri. “Jo për të mbetur siç jemi, as për të qenë më keq. Për të njëjtat arsye që bëhet një operacion i dhimbshëm, për ta bërë organizmin që të përballojë me sukses një sëmundje. Vetëm në 70 ditë arrijmë të kemi një rezultat që na jep mundësinë t’i themi biznesit të vogël që falë këtij operacioni, falë këtyre dhimbjeve, falë stresit, shqetësimit që keni pasur, merrni mbrapsht këtë përfitim kaq të madh. Një përfitim i merituar që unë e shoh si një angazhim të qeverisë për t’ju lehtësuar, por edhe për t’i vënë fre informalitetit të madh. Për t’i vënë fre atyre që fshihen pas biznesit të vogël”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, politikat ekonomike të qeverisë kanë ndihmuar biznesin shqiptar si kurrë më parë. Ai bëri të ditur se ‘në sajë të politikave ekonomike që ka zbatuar qeveria, 95 miliona dollarë e thënë i kaluam nga xhepat e shtetit në arkën e familjeve shqiptare, së pari duke rivendosur një të drejtë të mohuar për vite të tëra nga famëkeqja taksë e sheshtë dhe duke kaluar tek taksimi i ndershëm që uli taksat mbi pagën e 95% e shqiptarëve që punojnë në shtet apo privat.

Së dyti zëruam taksën prej 80 mijë lekësh, të biznesit të vogël, një taksë që ju e paguanit mbi tatimin mbi fitimin që ishte 10% të cilin ne e ulëm në 7.5%. zgjeruam si dhe nismën për pajisjet e makinerive nga Tvsh, dhe që janë një nga elementët e patjetërsueshëm të modelit tonë të ri ekonomik”.

Kreu i Ekzekutivit pohoi se një tjetër hap pozitiv i kësaj reforme, është dhe shtimi i numrit të punonjësve. Teksa bëri një bilanc në lidhje me ecurinë ekonomike të biznesit, Rama vlerësoi se ky vit ishte i mbarë në krahasim me vitin 2014.

“Një tjetër rezultat pozitiv është numri i shtuar i punonjësve. Që e ka çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 156 mijë persona, një pjesë e tyre janë punonjës për herë të parë. Numri i bizneseve të regjistruara për periudhën korrik-nëntor të këtij vitit, është pesë herë më i madh se i gjithë vitit 2014. Numri i biznese të regjistruara nga fillimi i vitit është 120 për qind më shumë se totali i vitit 2014. Çregjistrimet, për të cilat flitet shumë janë 3871, ose 8.11 për qind më pak se 2014. Ndërkohë, vërehet një rritje e pezullimeve, që konsiderohet duke parë dhe analizuar natyrën e pezullimeve në masën më të madhe, për t’u formalizuar. Ca na ka sjellë nga pikëpamja e xhiros ky operacion? Na ka sjellë që të kemi nga kontrolli tatimor ndryshimin e përgjegjësisë tatimore për afro gjysmë e tyre, të cilat kanë kaluar në biznese të vogla me TVSH. 33 për qind kanë kaluar nga biznes i vogël me xhiro nën 2 milionë, në biznes i vogël me 2-5 milionë. 24 për qind që deri dje figuronin biznes i vogël, kanë kaluar në biznes të madh. 3 mijë subjekte që nuk paguanin TVSH, kanë marrë përgjegjësin dhe po derdhin detyrimet. U mundësua pajisja me NIPT të mbi 10 mijë fermerëve, që duke marrë NIPTIN hyjnë tek subjekte që mund të marrin mbrapsht rimbursimin e TVSH.”, theksoi Rama.

Sakaq, ai shtoi se ‘Kush punon e prodhon në fshat, duke marrë NIPTIN, nuk rrezikon që të paguajë taksë, por përfiton të rimbursohet’. “Shumë e rëndësishme është të theksohet se nuk kemi shpallur informacion kundër informalitet, që ka një kontroll nga biznesit, por që ka dy anë. Një anë është kontrolli i administratës tatimore. S’ka asgjë të vërtetë kur thuhet se do të godasë më të vegjlit. Kontrollet e biznesit të madh, në një biznes të madh, procedurat zgjasin më shumë dhe kërkojnë mund, pasi bëhet fjalë për qarkullim të lartë. na kanë sjellë në rezultatin e parë se në 16 biznese të mëdha, qarkullojnë 150 milionë dollarë në vit, ndërsa rezultojnë në borxhe. Janë 24 biznese të tjera që po kontrollohen, ndërsa janë objekt në këndvështrimin e administratës, i shkeljeve penale. Të gjitha këto kanë sjelle një rezultat të parë; ky është një tregues se reformat kanë kosto, kanë dhimbej, por japin rezultate.”, deklaroi Rama.

RAMA: DO T’I TËRHEQIM INSPEKTORËT E TATIMEVE, KONTROLLI I BIZNESEVE DO BËHET ME SISTEMIN E RI
Kreu i Qeverisë njoftoi një tjetër hap, duke u shprehur se do të tërhiqen inspektorët nga terreni, dhe kontrolli i bizneseve do të bëhet në bazë të sistemit të teknologjisë.

“Ne do t’i tërheqim inspektorët e tatimeve. Në një proces që ne parashikojmë të zgjasë 6 muaj ju nuk do të keni më problemin e madh që është dhimbje koke, që të keni në derë inspektorë që vijnë një herë, dy herë, tre herë, 9 herë. Kontrollet do të bëhen qendrore. Do të ketë kontrolle, por nuk do jenë si tani, do jenë mbi bazën e sistemit të teknologjisë së lartë që ne kemi ndërtuar.

Kjo nuk është ulje e vigjilencës tatimore, por çuarja në një nivel të ri, që kapin ata që bëjnë ligjin. Nuk e kuptoj dot se për çfarë arsye biznesi të mos kthehet në aleat jo të qeverisë, por të këtij operacioni që është për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Të gjithë ata që vetëpunësohen kjo duhet të jetë edhe si një nxitje për të hapur një biznes të vogël. Nuk ka asnjë taksë për zanatçinjtë. Këto janë të rëndësishme për të mos lejuar që në këtë vend të ketë akoma skllevër, duke punuar në të zezë”, tha Rama.

Në përfundim të fjalës së tij, kreu i Qeverisë ka falënderuar të pranishmit në këtë aktivitet, duke u shprehur se “I kërkova Drejtorisë së Tatimeve që të mos ftonin këtu biznese që shkelin ligjin, por vetëm ata që paguajnë ndershmërisht detyrimet”.

RAMA NJOFTOI NJE KOMUNIKIM TE VECANTE
Kryeministri Edi Rama njoftoi rreth ores 11:00 se do të dalë në orën 12:00 në një komunikim të vecantë për mediat. Sipas Ramës, komunikimi ka rëndësi të vecantë për cdo familje shqiptare që jeton me biznes të ndershëm.

“LiveTV në 12.00 nga kryeministria një komunikim me rëndësi të veçantë për çdo familje që jeton me punë të ndershme në një biznes të vogël…”, shkruan Rama në Facebook e Twitter.

(d.b/m.k/ed.me/el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: