Banorët e Njësisë 11 do të marrin shërbime nga Bashkia e Tiranës në kushte më të mira, por edhe më shpejt e pa radhë.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përuroi zyrat e reja të njësisë, nga ku theksoi fokusi i bashkisë është te puna për qytetarët.

“Duket shumë mirë. Edhe ju nuk futeni më nëpër biruca. Ju jep edhe juve më shumë hapësirë dhe njerëzve po ashtu tani me distancën sociale që duhet zbatuar. Sic i kemi zyrat këtu t’i bëjmë edhe në vende të tjera” ,- tha Veliaj.

Nga zyrat e reja të Njësisë 11, Veliaj dha lajmin e mirë për dhënien e pagesave cash për kategoritë DS1, DS2, DS3 të tërmetit, si dhe fillimin e punës për rindërtimin e shtëpive të shpallura të pabanueshme.

“Së pari, do të kalojmë pagesat e DS1, DS2, DS3 të tërmetit. Është një zgjidhje perfekte për ata që kanë dëme minimale, sepse ose i bëjnë vetë, ose pajtojnë një brigadë, por ikën një pjesë e presionit që kemi për çështjen e tërmetit. Pastaj, kategoria DS4, DS5, që është rindërtim total, bëhen kontratat këtë javë. Do t’i caktojmë secilës kompani nga një njësi”, nënvizoi Veliaj.

Që prej 2015-s, Njësia 11 ka njohur një sërë investimesh të rëndësishme duke filluar nga blloqet e pallateve, rrugë, shkolla të reja, kinema dhe kënde lojërash për më të vegjlit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb