“Gjendje e qëndrueshme, por e rëndë!”! Këto janë kushtet shëndetësore të Aleks Zanardit, kampionit paraolimpik të biçikletës së dorës një ditë pas aksidentit të rëndë që pësoi në Pienca, pranë Sienës. Zanardi i është nënshtruar një ndërhyrjeje shumë të vështirë neurokirurgjikale dhe është transferuar nën terapi intensive ku është i intubuar dhe me frymëmarrje të ventiluar teksa gjendja neorologjike paraqitet e rëndë.
Zanardi kreu një ndërhyrje neurokirurgjikale dhe maksilo-façale për plagët dhe traumat që pësoi në rrugën provinciale 146, teksa po merrte pjesë në stafetën “Objektivi trikolor”, iniciativë e dedikuar për emergjencën e shkaktuar nga pandemira e koronavirusit.
Ende për t’u qartësuar shkaku i aksidentit që përfshiu ish-pilotin e Formula 1, që në fund të një zbritjeje me rrugën që kthehej djathtas, biçikleta e tij e dorës ndryshoi trajektoren duke shkarë në korsinë e kundërt dhe duke u përplasur me një kamion të tonazhit të rëndë. Prokuroria e Sienës po heton ngjarjen, ndërsa shoferi ka dalë negativ në testet ndaj alkoolit dhe drogës.
Aleks Zanardi, ish-pilot i Formula 1 në vitet 1991-1994 dhe 1999, pësoi një aksident të rëndë në garën e makinave CART në vitin 2001, çka i kushtoi amputimin e të dyjave këmbëve. Pavarësisht kësaj ai iu rikthye aktivitetit sportiv dhe nga garat e shpejtësisë kaloi në disiplinën “handbike” ku në vitin 2012 dhe 2016 mori pjesë në Lojërat Paraolimpike duke fituar katër medalje të arta dhe dy argjendi.
(Balkanweb)
