TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi sot se buxheti duhet t’i japë përparësi emergjencave dhe rezervave të shtetit.

Gjatë fjalës së tij në komisionin e Sigurisë, Tahiri duke u ndalur tek masat antiterror për sigurinë e vendit ndaj sulmeve të mundshme nga ekstremistë të shtetit Islamik, ai theksoi se ‘lufta antiterrorizëm nuk është çështje muskujsh, por mendjeje’. “Lufta antiterrorizëm jo çështje muskujsh, por mendjeje. Armatimi nuk i përshtatet kohës. Buxheti duhet të ketë përparësi për emergjencat dhe rezervat e shtetit.”, tha Tahiri.

Tahiri tha se fondet e akorduara nga qeveria për rendin dhe sigurinë, gjatë vitit në vijim, kapin shifrën e 19.9 miliardë lekëve, ose 6 për qind me shume krahasuar me një vit më parë. Këto fonde, sipas programit buxhetor, tha ministri, janë parashikuar të shpërndahen për Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, emergjencat civile, Inspektoratin e mbrojtjes së territorit, gjendjen civile, etj. Fushat ku do të zbatohet buxheti i ri është lufta kundër paligjshmërisë, informalitetit, kriminalitetit, ndërsa në fokus është forcimi i Policisë së Shtetit.

“Gjatë vitit të ardhshëm do të shtohen fondet për sigurinë publike, ndërsa rritje do të pësojnë dhe investimet për gjendjen civile, infrastrukturën logjistike për policinë etj”, tha Tahiri. Deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj u interesua nëse buxheti parashikonte orët jashtë orarit dhe shtesa në pagë për Policinë dhe Gardën e Republikës. “Garda e Republikës, edhe pse bën një pune të madhe është lënë disi në hije”, tha Sterkaj.

Sipas Ministrit, Buxheti ka parashikuar orët jashtë orarit për të dyja institucionet, teksa shtoi se në dy vitet e e fundit policia është paguar dhe për borxhe të prapambetura. Ish-Ministri i Brendshme, Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë seancës së pyetjeve pyeti ministrin Tahiri, përse Reparti Renea ende nuk e ka përfunduar rikonstruksionin e saj të parashikuar brenda vitit 2016.

Sipas Ministrit Tahiri, arsyeja është sepse investimet në atë repart po kryhen nga Delegacioni Europian dhe është ai institucion që kujdeset dhe për lëvrimin e fondeve. “Ne si Ministri kemi bërë kërkesa për të mbyllur sa më shpejtë procesin. Kemi kryer detyra tonë procedurale dhe tashmë ka mbetur vetëm të kalojë fondi për investim, çka i takon delegacionit të BE-së”, tha Tahiri, duke shtuar se shpreson që investimi të përfundoi brenda vitit 2016.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: