TIRANË- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj iu ka bërë apel qytetarëve të mos e dëmtojnë monumentin e Pavarësisë të vendosur në Parkun Rinia. Gjatë inaugurimit të dytë të këtij monumenti, i cili i ishte nënshtruar një rikonstruksioni për shkak të dëmtimit dhe shkuljes së disa pllakave Veliaj tha se nuk mund të tolerohen ata që vandalizojnë objektet. Ai ka uruar me këtë rast qytetarët e Tiranës për ditën e flamurit të kryeqytetit.

“Dua t’ju uroj gjithë qytetarëve të Tiranës Gëzuar ditën e flamurit për Tiranën, 26 nëntorin. Monumenti i pavarësisë i porositur disa vjet më parë, i papaguar ndaj firmës austriake iu nënshtrua një rikonstruksioni. Nuk mund të tolerojmë ata që vandalizojnë objektet. Apel qytetarëve, këto vepra të mos barbarizohen!”, tha Veliaj.

Ndërkohë që njoftoi se për 28-29 nëntorin do të ketë një sërë aktivitetesh në kryeqytet. Ai lajmëroi se 29 nëntori do të jetë një ditë tjetër pa makina.

Ndërsa skulptori Agim Rada tha se kostoja e rikonstruksionit ka qenë 1 mln lekë të reja. Sipas tij ky monument ka nevojë për ndërhyrje radikale, sidomos për bazamentin, por kjo në një kohë më të vonshme.

“Arritëm që këtë vepër ta kthejmë në identitet. Restaurimi ka vetitë e veta. Ne ja arritëm qëllimit. Na erdhi ditë që të mos ketë më falsifikime historie. Nëse e ruajmë me policë kjo vepër nuk ka më vlerë. Qytetarët duhet të jenë ata që ta ruajnë. Kjo vepër ka pasur probleme nga ana inxhinierike. Bëmë rikonstruksionin e brendshëm, për t’i kapur me vida nga brenda, ishte vetëm me silikon. Kostoja ka qenë 1 mln lekë të reja. Ka nevojë për një ndërhyrje radikale, por tani për tani nuk është e mundur”, tha Rada.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb