*Erdogan: ISIS-i naftën që nxjerr ia shet Assadit
Pas rrëzimit të avionit rus, tensionet mes Turqisë dhe Rusisë po rriten edhe më. Sot Rusia ka deportuar 39 biznesmenë turq në qytetin rus Krasnodar, me akuzën se ata kishin gënjyer për qëllimin e vizitës.
Biznesmenët turq kishin deklaruar se po vizitonin Rusinë si turistë, por ndërkohë sipas autoriteteve ruse ata ishin nisur për një panair agrikulture.
Gjatë ditës së sotme Rusia ka njoftuar bllokimin e tregtisë me Turqinë.
Presidenti rus Putin u ka thënë qytetarëve se paratë që ju përdorni për të blerë perime turke shkojnë për financim të ISIS.
Nga ana tjetër presidenti turk Erdogan u shpreh se është Rusia ajo që lufton forcat opozitare në Siri, për të mbështetur ISIS.
Kryeministri rus, Dmitri Medvedev i kërkoi sot qeverisë të përgatisë brenda dy ditësh një sërë masash shtrënguese ekonomike në formë kundërpërgjigjeje pas agresionit të përdorur nga Turqia, që rrëzoi dy ditë më parë një avion bombardues rus, në kufirin me Sirinë.
”Shtrëngesat mund të jenë përsa i takon realizimit të programeve të bashkëpunimit ekonomik, të operacioneve financiare, marrëveshjet mbi tregtinë e jashtme, tarifat doganore të import-eksportit, sektori turistik, transportet, fluturimet, lundrimet si edhe marrëdhëniet humanitare”, deklaroi Medvedev.
Erdogan: ISIS-i naftën që nxjerr ia shet Assadit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij me zyrtarët e qeverisjes lokale, deklaroi se ISIS-i naftën që nxjerr ia shet Assadit.
“E shet atje, paratë i merr nga ai, ku edhe burimi i parave është i përcaktuar. Ne nuk dëshironim të vinim në këtë pikë. Nëse ka një pikë ku duhet të kërkohet për armët dhe fuqinë e financimeve të ISIS-it, duhet të jetë regjimi i Assadit, vendet të cilat veprojnë bashkë me të. Ata që kanë nën objektiv grupet opozitare të cilat pranohet si përfaqësues të popullit sirian nga 120 vende, japin një mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj ISIS-it”, u shpreh Presidenti i Turqisë.
“Turqia këtë organizatë që në vitin 2005 e ka njohur si ‘organizatë terroriste’ me emrin e vjetër. Edhe që nga viti 2013 me emrin e ri e pranon nën të njëjtën mënyrë si ‘organizatë terroriste’ dhe gjithashtu kemi vazhduar dhe vazhdojmë pa ndërprerje luftën tonë me këtë strukturë. Për këtë arsye qasja jonë në lidhje me ISIS-in prej kohësh është e qartë. Këtu nuk ka asnjë pikëpyetje. Askush nuk ka të drejtë të na implikojë në këtë temë dhe të bëjë temë diskutimi luftën e vendit tonë kundër ISIS-it”, theksoi Erdogani.
(d.b/BalkanWeb)
