Ndihmë të shpejtë në luftë kundër terrorizmit i premtoi Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidentit francez, François Hollande, të mërkurën në mbrëmje, në Paris. Rreth 24 orë më vonë, ndihma mund të merrte forma konkrete. “Ne do të forcojmë jo vetëm misionin e trajnimit në Irakun e Veriut, por do të angazhohemi në luftën kundër terrorit të Shtetit Islamik në Siri me avionë zbulues ‘Tornado RECCE’”, deklaroi zëdhënësi i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Henning Otte në Berlin.
Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk donte ta komentonte deklaratën e tij. Kancelarja Merkel zhvilloi të enjten pasdite konsultime me Ministren e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen; ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere, për kontributet e ndryshme të Gjermanisë. Pas kësaj, ishin planifikuar takime të veçanta të Grupeve Parlamentare të partive unioniste dhe të SPD.
Kërkesë për avionë ‘Tornado’
Po diskutohet angazhimi i avionëve të zbulimit ‘Tornado’ të Bundeswehrit në Siri dhe në Irakun e Veriut. Këta avionë ‘Tornado’ të tipit “RECCE” do të konstatojnë pozicione të milicëve të Shtetit Islamik, i tha politikani për çështjet e mbrojtjes i CDU-së, Roderich Kiesewetter, agjencisë së lajmeve “Deutsche Welle”.
“Unë nuk e konsideroj me dobi angazhimin e një flote tjetër bombarduese, kur të tjerët tashmë bombardojnë atje”, tha Kiesewetter. “Ne gjermanët duhet të kontribuojmë me aftësitë që u mungojnë të tjerëve”. ISIS-i zotëron raketa moderne kundërajrore iraniane dhe është “një kundërshtar për ta marrë shumë seriozisht”. Por mandatin e Bundeswehrit duhet ta aprovojë më parë Bundestagu. Edhe një mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të ishte i dëshirueshëm, thuhet në Grupin Parlamentar CDU/CSU.
Tornadot “Recce” kanë mbështetur disa misione ushtarake ndërkombëtare, si p.sh. në Ballkan ose në Afganistan. Atje, gjashtë ‘Tornado’ gjermane u dhanë partnerëve të NATO-s informacione për pozicionet e talebanëve.
“Shumë pozitive” kanë qenë përvojat në Afganistan, deklaroi politikani i politikës së jashtme dhe ish-ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Franz Josef Jung. Në lidhje me Sirinë, ai tha: “Tornadot mund të konstatojnë me siguri në rast nevoje se ku ndodhen trupat terroriste”. Sfida më e madhe në misione të tilla mbetet koordinimi brenda koalicionit anti-ISIS, tha Kiesewetter. Një ngjarje e tillë si rrëzimi i një avioni luftarak rus nga aviacioni turk nuk duhet të përsëritet më. Objektivi primar mbetet gjetja e një zgjidhjeje për Sirinë.
(ed.me/dw/BalkanWeb)
