TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi sot se në sajë të Reformës në Drejtësi do merren masa ndaj rasteve të shkeljes së detyrës dhe korrupsionit. Fill pas një takimi të mbajtur me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani në ambientet e Presidencës, Manjani pohoi se ai do të vazhdojë axhendën që kishte nisur paraardhësi tij, Nasip Naço.
“Pata një takim pune me atmosferë miqësore me Nishani. I shpreha mirënjohjen time si ministër, kryetarit të Shtetit, dhe kryetarit të KLD-së. Bisedova mjaft hapur për shumë çështje dhe gjeta mirëkuptim për të punuar mirë me menaxhimin e detyrave kushtetuese.”, pohoi ministri.
Teksa u pyet në lidhje me temën e takimit me Kreun e Shtetit, ministri tha se ishte një takim miqësor. Manjani ndër të tjera u ndal dhe tek një shkresë që ish-ministri Naço kishte dorëzuar për shkarkimin e 10 gjyqtarëve, që sipas tij kishin abuzuar me detyrën, ndërsa theksoi se “Do kërkoj çdo lloj inspektimi, si në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për çdo rast që ka pakënaqësi publiku. Kemi plotë dosje në tryezë. Kam gjetur mirëkuptimin e nevojshëm për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për bashkëpunim me KLD”.
Manjani nuk i shpëtoi as pyetjes në lidhje me arrestimin mëngjesin e sotëm të një prokurori në Fier, nën akuzën për “Korrupsion pasiv”, ai shtoi se “Kam thënë që ditën e parë që do jem vazhdues i punës së ish-ministrit Naço. S’kam ndërmend të prish axhenda. Jam përkrahës i ashpër i goditjeve për çështje të korrupsioni dhe shkelje të detyrës. Kështu që do kenë mbështetje timen të pakufishme ata që distancohen nga këto akte.”, tha ai.
(ed.me/BalkanWeb)
