Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Agjencia e Trajtimit të Pronave, sot AKKP, duhet të nxjerrë brenda gjashtë muajve nga hyrja e ligjit të ri në fuqi të gjitha vendimet për njohjen e pronës. Më pas pronarët kanë 6 muaj kohë për plotësuar dosjen në rast se kanë mangësi. Ndërsa në lidhje me kompensimin fizik për pronat e lira shtetërore, ai do të kryhet me ankand.

ATP-ja shpall subjektin fitues në përputhje me legjislacionin në fuqi për ankandin publik, bazuar në ofertën më të lartë. Nëse ofertat janë të barabarta, u jepet përparësi ofertave brenda qarkut ku ndodhet prona e njohur për kompensim dhe në rast se ka disa oferta të tilla, vendimit përfundimtar më të hershëm.

Regjistrimi dhe zbatimi i vendimeve të kompensimit
Në ndryshimet që iu bënë ligjit për pronat është parashikuar që e ATP-ja,(Agjencia e Trajtimit të Pronave (brenda një afati 6-mujor nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, publikon regjistrin e të gjitha vendimeve që njohin të drejtën e kompensimit të pronës së subjekteve të shpronësuara. Regjistri duhet të përmbajë informacion për dokumentacionin që mungon në dosjen e vendimit. Regjistri bëhet publik në faqen zyrtare të ATP-së, në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare dhe/ose në media. Rregullat e krijimit, mbajtjes dhe administrimit të regjistrit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ATP-së.

Sipas draftit përfundimtar që do të kalojë në Kuvend për votim seancën e ardhshme, subjektet e interesuara mund të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit të kompensimit, brenda një afati prej 6 muajsh nga data e publikimit të regjistrit. Në rast se vendimet administrative kanë të meta teknike/hartografike apo gabime materiale të dukshme, me kërkesë të subjektit, ATP-ja mund të bëjë plotësimin e së metës apo ndreqjen e gabimit pa prekur përmbajtjen e vendimit, sipas përcaktimeve të Kodit të Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

Sipas draftit, vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative dhe për atë kategori prone, nëse: subjektet e interesuara nuk sjellin dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin financiar të vendimit brenda afatit gjashtë mujor dhe ATP-ja është në pamundësi objektive për të vlerësuar pronën bazuar në dokumentacionin që disponon.

Kompensimi i subjekteve fillon pasi vendimi i vlerësimit financiar bëhet përfundimtar. Në ligj është përcaktuar që shpërblimi për efekt kompensimi nuk i nënshtrohet asnjë takse dhe tatimi.
Procedurat për tokat e zëna nga ndërtimet pa leje

Pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje do të vijojnë të ndjekin të njëjtën procedurë për të kërkuar kompensimin e pronës edhe pas hyrjes së ligjit të ri në fuqi. Ndryshimet në ligjin për pronën nuk kanë prekur mënyrën e kompensimit për pronarët që kanë tokë në zonat informale. Ata duhet të plotësojë kërkesën për kompensim në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme (pronë private) që preken nga ndërtimet informale (ALUIZNI).

Dokumentacioni i nevojshëm
a) Kërkesa për kompensimin në vlerë sipas formatit Tip.
b) Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit, për të cilin është lëshuar kjo dëshmi trashëgimie.
c) Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre.
Prokura duhet të jetë sipas modelit të më poshtëm: “Përfaqësuesit tonë i japim tagër dhe kompetencë të plotë që të veprojë në emër dhe për llogarinë tonë: Të paraqesë kërkesën dhe dokumentacionin përkatës pranë AKKP, Tiranë për ndjekjen e procedurës së kompensimit në zbatim të VKM-së përkatëse si dhe të drejtën për të tërhequr vlerën financiare të kompensimit, pranë AKKP, Tiranë”.
ç) Vërtetimin i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare ku do të transferohet vlera financiare e përfituar.
d) Fotokopje e dokumentit të identifikimit dhe certifikatë familjare të kërkuesit.
dh) Mandatpagesa që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit.
* Në rastin kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: