KOSOVË- Të shumta ishin delegacionet dhe qytetarëve që sot vizituan varrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, duke e kujtuar veprën dhe jetën e tij në 71-vjetorin e lindjes.
Nderime pranë varrit të Rugovës sot bëri edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, këshilltarë të tij, por edhe kryesia e degës së tretë të LDK.
Ata e kujtuan këtë ditë me plot mall, por të zhgënjyer, duke thënë se po të ishte presidenti gjallë Kosova do të ishte një hap më përpara.
Halil Muharremi ish-këshilltar i Presidentit Ibrahim Rugova tha se kjo ditë i kujton kolosin e pavarsisë së Kosovës i cili është mjaft i nevojshëm në këto momente që po kalon Kosova.
“Erdhëm këtu për të bërë homazhe dhe për ta përkujtuar kolosin e pavarsisë së Kosovës dhe njëherit edhe kolosin e shqiptarizmit. Për ne ka qenë nder i madh që e kemi pasur fatin të punojmë dhe të bashkëpunojmë me presidentin Rugova deri në momentet e fundit të jet ës së tij, sidomos kujtimi për presidentin Rugova është akoma më i nevojshëm në këtë momente kur në Kosovë ekziston një gjende shumë e rëndë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Presidenti Rugova ka pasur kapacitete të mëdha të një burrë shteti i cili gjithnjë ka qenë në funksion të kohezionit të të gjitha forcave politike shoqërore dhe gjithë popullore”, tha ai.
Homazhe tek varri i presidentit të ndjerë bëri edhe Hazir Burovci kryetar i degës së tretë të LDK-së. i cili e kujton Rugovën me shumë energji, duke kujtuar se po të ishte i gjallë i ndjeri presidentë atëherë Kosova do të ishte një hap më përpara.
“Këtë ditë e kujtojmë me tërë forcën energjinë filozofin e të madhit të papërsëritshëm në histori të presidentit historik Dr Rugovës filozofia e tij ishte filozofi e unitetit e bash kimit, e afrimit, e jo e ndaljes edhe e largimit, mesazh për shtetin ishte punë për shtetin dhe tërë jetën ja kushtoj lirisë, demokracisë, pavarsisë së ditës së sotshme”tha ai, raporton KP .
I pyetur se a do të ishte kjo Kosova nëse do të ishte presidenti gjallë, ai tha se nëse do të ishte gjallë Rugova atëherë Kosova do të ishte një hapë më përpara në aspektin e politikës dhe ekonomisë.
Si nisi karriera politike e Ibrahim Rugovës
Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë dhe parti e grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.
Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:
– Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
– Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
– Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
– Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).
– Në vit in 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguera”, në Barcelonë, Spanjë.
– Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:
– Mbreti i Spanjës Huan Karlos, – Helmut Kol, – Ronald Regan-i, – Oto fon Habsburg dhe – Emil Konstantinesku.
– Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).
“…Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t’ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t’ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)
– Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.
“Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit”.
“Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t’i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet”. (Z. Oto fon Habsburg)
– Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.
– Më 20 nëntor 2005, Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut e ka nderuar presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me një mirënjohje të veçantë për përkushtimin e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe për udhëheqjen e tij politike frymëzuese.
– Më 21 janar 2006, pushon së rrahuri zemra e Presidentit të Parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
(m.k/tg/BalkanWeb)
