NGA OLA MITRE*
Vendimet gjyqësore për pensionet ushqimore të fëmijëve pas divorcit të prindërve nuk ekzekutohen në masën 70%, ndërkohë që në shumë raste gjykatat japin vendime abuzive e në kundërshtim me ligjin”. Të dhënat i përkasin monitorimit të kryer nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare mbi vendimet gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, me objekt kërkimin dhe ndryshimin e masës së detyrimit ushqimor në rastet e zgjidhjes së martesës. Në total u monitoruan 655 vendime për periudhën janar-dhjetor 2014, ndërsa në fokus ishte fuqizimi ekonomik i gruas së divorcuar dhe mirërritja e fëmijëve që rriten me prindër të divorcuar.
Vendimet
Ndërkaq, pas shqyrtimit të vendimeve u konstatuan një sërë shkeljesh si dhe problemesh që hasen në drejtim të caktimit të pensionit ushqimor. Më konkretisht, u konstatua se gjykata nuk procedon mbi kufij reference të paracaktuar të masës së detyrimit ushqimor dhe se nuk ekziston ndonjë skemë e përgatitur paraprakisht me qëllim referimin në të, për caktimin e detyrimit ushqimor. “Në asnjë vendim nuk gjetëm rast ku pala ose gjykata të ketë bërë përllogaritje mbi shpenzimet që i nevojiten asaj për të mirërritur dhe edukuar fëmijën, me përjashtim të rasteve kur ka kërkuar para shtesë për kurset, që janë shumë të rralla”, theksohet në raport.
Gjithashtu, nga monitorimi janë identifikuar edhe mangësi në vendime, të cilat sipas ekspertëve që realizuan studimin, duhet medoemos të korrigjohen në të ardhmen. “Ka pasur vendime, ku masa e detyrimit ushqimor rezulton vetëm në dispozitivin e vendimit dhe nuk është arsyetuar se cilët janë faktorët mbi të cilët gjykata mbështetet për të përcaktuar masën e detyrimit ushqimor. Ka rezultuar në një nga vendimet e monitoruara se gjykata nuk ka caktuar detyrim ushqimor sepse prindërit e fëmijëve ishin të papunë. Ky vendim është në kundërshtim me ligjin. Kodi i Familjes në nenin 196 parashikon se prindërit nuk shkarkohen nga detyrimi për ushqim ndaj fëmijëve të tyre, edhe sikur t’u jetë hequr përgjegjësia prindërore”, thuhet në raport.
Gjithashtu, në një nga vendimet e monitoruara, rezultoi se gjykata duhet të caktonte detyrimin ushqimor për fëmijën madhor, por nuk e caktoi sepse fëmija madhor hoqi dorë nga detyrimi ushqimor. “Bazuar në nenin 214 të Kodit të Familjes, heqja dorë nga e drejta për të marrë detyrimin për ushqim për kohën e ardhshme është e pavlefshme”, saktësohet në këtë raport.
Ekzekutimi i vendimeve
Lidhur me moszbatimin në masën 70% të vendimeve gjyqësore, studimi rendit një sërë shkaqesh e më konkretisht: ish-bashkëshorti nuk është i punësuar dhe nuk ka prona, ish-bashkëshorti është i punësuar në punë informale dhe nuk deklaron të ardhura, ish-bashkëshorti ka prona ose është i punësuar, por zyra e përmbarimit shtetëror nuk ekzekuton ende vendimin, ish-bashkëshorti është emigrant dhe nuk është realizuar ende zbatimi i vendimit nga organet kompetente shtetërore, ish-bashkëshorti është duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë në burg, organet shtetërore kanë vepruar me ndërprerje në vjeljen e detyrimeve, ose nëna është vonuar në paraqitjen e kërkesave. Nisur nga këto përfundime, Qendra arrin në konkluzionin se çështjet e ngritura më sipër kanë nevojë të përmirësohen. Po ashtu, kërkohet vëmendja e organeve shtetërore përgjegjëse, sidomos gjykatat, Ministria e Drejtësisë, zyrat e përmbarimit shtetëror e privat, si dhe të avokatëve.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
