Me nisjen e vitit të ri shkollor 720 nxënës të shkollës “Vilson Blloshmi” në Librazhd do të kenë në dispozicion të tyre një palestër me të gjitha kushtet bashkëkohore.
E konceptuar si një minipallat sporti, kjo palestër ka hapësirat e mjaftueshme dhe kushtet për ushtrimin e të gjithë disiplinave sportive.
Por nxënësit nuk do të jenë përfituesit e vetëm, kjo hapësirë do t’i shërbejë edhe komunitetit dhe sidomos do të ndikojë në rikrijimin e skuadrave të qytetit.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiset Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra inspektoi nga afër ecurinë e punimeve, duke e vënë theksin tek një sërë investimesh në arsim që janë të domosdoshme për Bashkinë Librazhd.
“Investimet në arsim në Librazhd mbeten një prioritet dhe pas kaq shumë vitesh, ndoshta dekadash, në Librazhd ndërtohet një sallë sportive e kushteve më të mira.
Kjo sallë përmbush edhe kriteret e federatave sportive për lojërat me dorë, sepse qoftë nga kapaciteti, apo nga përmasat e sallës sportive, nga ky ambient do të përfitojnë, jo vetëm nxënësit, por pse jo, të rikthehen edhe ekipet e të rinjve të sporteve me dorë.
Viti i ri arsimor duhet të ketë vëmendjen tonë për të rikonstruktuar të gjitha shkollat e mesme në Bashkinë Librazhd dhe për të vijuar më tej me shkollat 9 vjeçare.
Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë verës të punojmë për përgatitjen e mjediseve arsimore në mënyrë që viti i ri shkollor të na gjejë të përgatitur”, deklaroi Balla.
Ndërsa kryebashkiaku Gurra në fjalën e tij përmendi të gjitha investimet në shkolla që Bashkia e Librazhdit ka bërë në pak vite ndërkohë që, sipas tij, partneriteti në financim me Ministrinë e Arsimit ka rezultuar efektiv dhe shumë shpejt do të ndërhyhet edhe në godina të tjera shkollore.
(BalkanWeb)