TIRANË- Në kuadër të zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri, qeveria shqiptare ka propozuar një Plan Veprimi dhe zbatimi i këtij projekti do të kalojë në dy faza.

Së pari, do të përfshihet një vlerësim i nevojave në përgatitje për projektet pilote në Dajt dhe Ballsh, dhe implementimin e tyre.

Së dyti, sipas qeverisë shqiptare do të dorëzohet sistemi i ICMP-së për menaxhimin e bazës së të dhënave, që konsiston në krijimin e një regjistri qendror për personat e zhdukur si dhe trajnim në fushën e aftësive të trajtimit të trupave në morg, si dhe testimin dhe përputhshmërinë e ADN-së.

Ky plan udhëzues, është i bazuar në diskutimet me autoritetet shqiptare dhe reflekton prioritetet e qeverisë e cila udhëhiqet nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), i njohur për ekspertizën në shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dhunës politike.

Sipas qeverisë, ky plan përshkruan një strategji graduale për përcaktimin e rreth 6,000 personave, të cilët u zhdukën gjatë regjimit komunist në Shqipëri, në periudhën 1944 – 1991.

Në mars 2015 ICMP mori një ftesë zyrtare nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të diskutuar shtigjet e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet ICMP dhe autoriteteve shqiptare për të adresuar çështjen e personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist. Ndërkohë që, në tetor të këtij vit, një delegacion nga qeveria shqiptare realizoi një udhëtim studimor treditor në zyrat e ICMP-së në Bosnje dhe Hercegovinë. Delegacioni shqiptar vizitoi laboratorët e ADN-së së ICMP-së në Sarajevë dhe Tuzla dhe Sektorin për Koordinim e Identifikim si dhe Projektin e Identifikimit të Podrinjës në Tuzla; ata u informuan mbi të gjitha aspektet e programeve të ICMP-së që mund të aplikohen në kontekstin shqiptar.

Sakaq, në pesë vitet e fundit autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një përpjekje më të organizuar për të adresuar këtë çështje. Në vitin 2010 u zbulua varreza masive afër Malit të Dajtit. Si rezultat i zhvarrimeve nga Instituti Shqiptar i Mjekësisë Ligjore, 13 trupa u gjetën dhe mbetjet, të cilat ende nuk janë identifikuar, janë në kujdestarinë e Institutit.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: