Nga: Enida Himaj*
TIRANE- Sot në mbrëmje do të mbahet edhe finalja e Festivalit “Kënga Magjike”. E si çdo vit që prej shtatorit këngëtarët kanë prezantuar këngët e tyre javë pas jave tek e “E diela shqiptare”, duke u shndërruar shumë shpejt në hite. Ashtu si çdo vit e në çdo kompeticion muzikor, edhe këtë vit janë përfolur këngët që janë pretendente për të fituar trofeun e rëndësishëm. “Me fjalë të vogla” që e rikthejnë Florin pas gjashtë vitesh në këtë skenë, u bë njëra ndër këngët më të klikuara të këtij festivali. Rreth 2 milionë klikime janë shënuar për baladën e Mumajesit, që nga ato që përflitet se është ndër këngët pretendente për të fituar mbrëmjen e sotme, çmimin e parë. Të gjithë e ndoqën këngën që është padyshim më e dëgjuar deri më tani. Formati i njohur tashmë është që vetë artistët votojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë këngës më të pëlqyer pikët maksimale. Nga aq sa kemi mundur të marrim vesh, të shumtë kanë qenë artistët që kanë votuar për Florin, që ka një marrëdhënie shumë të mirë me thuajse të gjithë këngëtarët. Nga ana tjetër shumë prej tyre kanë qenë ose janë ende nën menaxhimin e kantautorit të mirënjohur. Një këngë tjetër që ka pasur mjaft sukses është edhe “Çifti simpatik”, e Stines.
Këngëtari ka mundur të marrë rreth 1. 8 milionë klikime, megjithatë nuk ka rrëmbyer aq shumë vota nga kolegët e tij. Flori e Stine janë dy nga këngëtarët që sollën këngë tepër të pëlqyera, e që tashmë janë duke garuar me njëri-tjetrin në youtube. Megjithatë, pas shumë komenteve të publikut, dy nga këngëtarët janë favorit për të fituar çmimin e madh, e krejt kjo mbetet të shihet në natën finale të “Këngës Magjike”. Albërie Hadërgjonaj ka ardhur këtë vit me një këngë që mbart një mesazh të fortë. “Me dorën shtrirë”, është një këngë tjetër që këtë vit ka korrur shumë sukses. Me siguri nata finale ka rezervuar një çmim tepër prestigjioz edhe për këngëtaren e famshme. Ndërkohë ka “shqetësuar” jo pak edhe kënga e Aurela Gaçes, e cila e ka fituar dy herë këtë kompeticion. Balada e këngëtares është ndër më të dëgjuarat, duke u pozicionuar ndër favoritet për të hyrë në 3 më të mirët e këtij festivali.
(ma.ar/Bluetooth/BalkanWeb)
