ITALI

“Në këto ditë kur unë jam duke përjetuar momente ankthi për shëndetin e babait tim, mendoj se është çnjerëzore të gjesh veten në të gjitha mediat si përgjegjësja kryesore e infektimit me COVID-19 të personit që dua më shumë”.

Këto kanë qenë fjalët e vajzës së Silvio Berlusconit, Barbara, e cila komenton lajmet që e akuzojnë si shkaktaren e infektimit me COVID-19 të babait të saj.

“Unë me të vërtetë do të doja të kuptoja se mbi çfarë baze më tregojnë me gisht si përgjegjësen e infektimit me koronavirus të babait tim” është shpërthimi i saj.

“Pas tre tamponësh negativë dhe testit serologjik ka shumë pak mundësi që babai im ta ketë marr nga unë virusin, ai rezultoi pozitiv shumë kohë më pas”- ka thënë Barbara në një intervistë për ‘Corriere della Sera’.

Vajza e liderit të ‘Forza Italia’ kundërshton lajmet në media që qarkullojnë për pushimet e saj në Sardenja, ku sipas tyre i ka kaluar mes festave dhe njerëzve pa respektuar rregullat e COVID-19.

“Unë nuk kam bërë ndonjë jetë të parregullt në Sardenjë. Herët që unë kam dal jashtë në darkë në tre muaj mund të numërohen me gishtat e dorës”- shtoi më vonë ajo.

Kujtojmë që dy ditë më parë, Silvio Berlusconi 84 vjec rezultoi pozitiv ndaj testiti të COVID-19. Ndërsa mëngjesin e sotëm lideri i “Forza Italia” u shtrua në spital pas probleme me frymëmarrjen.

Më pas për gjendjen e tij reagoi dhe mjeku i tij personal, duke thënë se është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se shtrimi në spital është bërë për të qenë pranë mjekëve, për të mos rrezikuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb