Nga: Mirsad Rrakaj*
SHKODER- Sa prekëse po aq edhe tragjike është historia e familjes Kuçaj prej 6 anëtarësh, të cilët banojnë në fshatin “Shtoj i Vjetër” të Shkodrës. Shtëpia ku ata jetojnë është amortizuar dhe nga çasti në çast rrezikon shembjen. Në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, kryefamiljari Rexhep Kuçaj shprehet se ka kaluar shumë peripeci dhe kalvar vuajtjesh në jetë dhe se fati nuk ka qenë asnjëherë me të.
“Historia ime mund të jetë e pabesueshme, por ky është realiteti im i hidhur. Tragjeditë më kanë ndjekur që nga viti 1993 kur gruaja ime u mbyt në lum së bashku me dy kunatat teksa ishin duke shkuar për të prerë dru në mal. Një vit më vonë fëmijët e vëllait, konkretisht nipi dhe mbesa vdesin tragjikisht në banesën e tyre e cila asokohe u përfshi nga zjarri për shkak të një shkëndije elektrike. Kurse unë u martova sërish në vitin 1996. Nga martesa e dytë lindja një djalë. Por fati nuk ishte në anën time, nuk deshi që djali im të jetonte. Një ditë herët në mëngjes, teksa ai po shkonte për në punë, u rrëzua nga motorçikleta dhe humbi jetën. Ka qenë tepër i ri, 18 vjeç dhe ai ishte shtylla e shtëpisë. Të gjithë prisnim atë se çfarë do të na sillte ai për të ngrënë. Unë vetë kam kryer një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të një sëmundje të rëndë dhe nuk jam aspak i zoti që të punoj. Tashmë kam mbetur në shtëpi së bashku me djalin e madh, me gruan e dytë dhe nipërit e mbesat. Jemi 6 anëtarë pa asnjë të ardhur ekonomike. Ndihmën ekonomike që kisha ma hoqën, sepse më thanë që ke tokë bujqësore. Ushqimet unë i marr me listë dhe jam në borxh 5 mln lekë të vjetra, ndërsa 1 mln të tjera jam debitor pranë OSHEE-së. Më ndihmojnë vetëm fqinjët dhe askush tjetër”, shprehet 52-vjeçari.
Rrëfimi i tij bëhet edhe më i dhimbshëm teksa me lot në sy tregon se asnjë nga fëmijët e familjes së tij nuk kanë mundësi të shkollohen për shkak të pamundësive ekonomike. “Nuk kanë mundësi as të gjejnë ndonjë punë për të siguruar të ardhurat minimale për jetesën”, thotë më tej Rexhepi. Sorollatjet e kësaj familjeje për të kërkuar ndihmë kanë qenë të shumta, por deri më sot askush nuk i ka dhënë një fije shprese, përveç premtime boshe. Stina e dimrit për këtë familje sjell me vete kalvarin e vuajtjeve, pasi shiu që bie depërton brenda banesës, ndërsa i ftohti mbështjell muret e saj gjysmë të rrënuara. Familja Kuçaj ka ardhur nga fshati “Sumë i Postribës” dhe që prej 20 vitesh jeton në fshatin “Shtoj i Vjetër”, në një objekt që dikur kishte shërbyer për përpunimin e peshkut. Ndërkohë, telat e korrentit sipër kokës së tyre paraqesin rrezikshmëri të lartë në rast të ndonjë shkëndije elektrike, çka rrezikojnë deri në djegien e banesës, e cila do të ishte fatale për këta njerëz që fati nuk i deshi asnjëherë. Çdo ditë ata zgjohen me shpresë se një e ardhme e lumtur do të trokasë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
