Vajza e cila, sapo përfundoi studimet e larta për aktrim, pati bekimin e rolit të saj të parë me një grup profesionistësh. Ago është bashkëprotagoniste me Jean (Carlo Brandt). Janë këto dy personazhe të cilët mbushin jetët filmike, me ankthet, intrigat, dashuritë, konfliktet e skenarit të Pierre. Ajo e sheh si privilegj këtë bashkëpunim dhe pret se si do të jetë kritika me punën e saj të parë. Kristina rrëfen se, përveç faktit se u ballafaqua me emra dinjitozë të kinemasë europiane dhe shqiptare, me këtë film mundi të shohë edhe Shqipërinë tjetër. Skenari i shkruar nga vetë regjisori këlthet për liri, paqe e reflektim, – fenomene të cilat edhe ajo vetë i çmon pa fund.
– A ishit në dijeni për audicionin e rolit tuaj, apo rastësia qëlloi mbreti juaj?
Ndodhi rastësisht, si çdo ditë në auditor, në Fakultetin e Artit Skenik, në orën e mësimit, kur aktori Vasjan Lami erdhi si përfaqësues i produksionit të filmit për të bërë disa foto në kërkim të aktorëve për rolin e Mirës.
– Çfarë dinit për filmin, regjisorin, stafin, personazhet, pretendentet?
Asgjë, pasi ishte një foto-provë e më pas do të vinte kinoprova (me disa seanca), ku unë do komunikoja dhe do prezantohesha më vonë me regjisorin dhe piktorin e filmit.
– Pierre (regjisori) donte një aktore pa eksperiencë; sa ju ndihmoi apo pengoi kjo situatë?
Unë mora pjesë në kinoprovat që zhvilluam bashkë sipas detyrave dhe rrethanave të kërkuara dhe nuk e di se si mund të kisha vepruar ndryshe edhe po të isha një aktore me shumë eksperiencë. Si çdo aktor, aq më tepër në rrethanat që ekzistojnë në Shqipëri, ku arti ka mungesë fondesh, në pritje të ndonjë projekti të ri!
– Çfarë do të na tregoje për partnerin tënd, Carlo Brandt; si punohej me të?
Carlo ishte një eksperiencë e vyer krijuese! Shpresoj që edhe ai të ketë pasur një bashkëpunim unik në këtë film.
– Me cilin ke punuar më mirë?
Përderisa të gjithë bëmë një skuadër, gjithsecili ofroi kontributin dhe profesionalizmin e tij, dhe kjo si një domosdoshmëri për realizimin me sukses të projektit filmik.
– A pati vështirësi të papërballueshme në film dhe a e njihnit këtë Shqipëri të cilën munde ta shijosh në këto zona?
Nuk ka më momente të vështira; sidomos tani mendoj që, vështirësia nuk mbaron me fundin e filmit, por fillon me shfaqjen e tij në publik. Nuk di nga t’ia filloj me përshkrimet dhe aksionet e xhirimeve të filmit, por me siguri do ta rifilloja akoma me më shumë entuziazëm dhe dashuri. Ne e kemi këtë natyrë perlë para syve tanë dhe, kur krijon e realizon vepra artistike si ky film, të duket një pasuri e privilegj i rrallë. Ky realitet është i njohur nga ne dhe në veçanti nga unë, sepse marrim frymë çdo ditë me hallet e jetën shqiptare, por kur realizohet një film si ky, edhe sensibilizimi apo përjetimi është më i madh.
– A u miqësuat me ndonjë nga banorët e zonës, pasi xhirimet ju zgjatën shumë?
Jo vetëm unë, po i gjithë ekipi i filmit, kudo ku kemi shkuar jemi ndjerë si në shtëpinë tonë!
– Çfarë mësuat nga kjo eksperiencë?
Mësova që gjithmonë do të jem e përkushtuar në punë e në kërkim të realizimit të ëndrrës që çdo profesionist e ka në jetën e vet artistike.
– Çfarë do të ndaje me lexuesin nga momentet e pashfaqura apo private të punës me grupin?
Do të doja që lexuesit e kësaj interviste të kishin mundësinë dhe fatin e përjetimit në sheshxhirim të atyre momenteve të jashtëzakonshme të përkushtimit të gjithsecilit. Nuk mund të përmenden të gjitha, sepse janë pa fund, por eksperiencat më emocionuese janë momentet kur gjithë stafi përjetonte, si Mira, të qarën, të qeshurën, të ftohtët në lumë, erën në mal dhe shiun në det. Të gjithë në fund të skenave kishin një përjetim e solidaritet adhurues.
– Cili ka qenë më kokëfortë dhe ju ka acaruar më shumë gjatë punës, pala shqiptare apo ajo e huaj?
Përderisa realizohet një projekt i përbashkët, krijuesit bien dakord e rrjedhimisht ka harmoni në ekip. Të dyja palët mbështesnin e frymëzonin njëra-tjetrën.
– A ka ndodhur diçka e paparashikuar nga rrjedha e organizimit tënd?
Në qoftë se do të parashikoja ç’do të ndodhte gjatë procesit të xhirimeve, ndoshta do e kisha pasur më të vështirë! Gjithmonë ka të papritura e surpriza, kështu që duhet qetësi, durim e pasion në përballimin e tyre!
– Si e sheh fatin e filmit shqiptar?
Do të doja të mendoja pozitivisht për filmin shqiptar dhe t’i uroja të ardhme të mbarë, sepse të gjithë dëshirojmë ditë edhe më të suksesshme e të mbara.
– A keni një model të aktrimit apo regjisurës?
Unë jam aktore e re, por do të vlerësoja shumë krijimtarinë e regjisoreve shqiptarë si Anagnosti, Gjika etj.
– Kur nisi audicioni i kishit flokët të gjatë; çfarë ndodhi me ta?
I preva publikisht dhe gërshetin po e ruaj si një kujtim emocionues timin.
– Më lehtë realizoni një rol në film apo teatër?
Me gjithë vështirësitë që ekzistojnë për të dyja eksperiencat, unë nuk do të mundesha dot të ndaja dashurinë nga vështirësitë e tyre. Rëndësi ka të punohet fort dhe me shumë dashuri për realizimin e personazhit të besuar nga regjia.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
