Pavarësisht një viti të vështirë për shkak të tërmetit dhe të pandemisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke u punuar për ndërtimin e rrugëve Librazhd-Babje si dhe Rruga e Polisit. Kryetari i grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra inspektuan punimet të cilat vijojnë me intensitet të lartë.
Në fjalën e tij Balla e vuri theksin tek cilësia e punimeve, ndërsa theksoi se investimet do të vijojnë edhe në zona të tjera ku infrastruktura shfaq probleme. “Investimi prej shumë vitesh kërkohej nga banorët e këtij fshati, të cilët nuk e kanë braktisur vendin e tyre, por vijojnë të punojnë dhe investojnë në këtë zonë. Këta banorë e meritojnë të gjithë vëmendjen tonë dhe ky investim duhet të ishte bërë më herët”, tha Balla.
Ndërsa banorët vlerësuan investimin, por edhe projektin i cili ka parashikuar një zgjerim të konsiderueshëm të aksit ekzistues, për të bërë të mundur lëvizjen normale të mjeteve. Balla sugjeroi gjithashtu që në bashkëpunim me bashkinë, banorët e Babjes të trajnohen për zhvillimin e turizmit familjar duke ofruar bujtina të vogla dhe padyshim ushqimin e shkëlqyer bio të zonës.
(BalkanWeb)