TIRANE – Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se ka filluar regjistrimi i kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë në FA deri në 25 shkurt 2016, si dhe informon për afatet e regjistrimit për të gjithë kandidatët.

Ministrja Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nëpërmjet statusit të saj “Facebook” mesditën e së hënës shprehet: “Doni të bëni karrierë? Doni një profesion? Bashkojuni Forcave të Armatosura! Apo doni disiplinë, sakrificë, respekt e dinjitet? Prapë Forcave të Armatosura duhet t’u bashkoheni. Rekrutimet u hapën dhe mbyllen më 25 shkurt 2016! Bëhu edhe ti pjesë e Forcave të Armatosura!”

Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një deklarate dhe njoftimi zyrtar të hënën në faqen e saj, shprehet se “Filluan regjistrimet e kandidatëve për ushtarë/detarë aktivë në FA qe zgjasin deri me shkurt 2016. Afati i regjistrimeve për aplikantët është deri më 25 shkurt 2016. Për regjistrime drejtohuni pranë Qendrës së Personel Rekrutimit në adresën Rruga e Dibrës, Tiranë (në ambientet e garnizonit “Skënderbej”).”

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet pyetësorit si të rekrutoheh ushtar/detare aktive në FA, shpjegon kushtet dhe kriteret për të gjithë aplikantët. “Në kushtet e një profesionalizmi më të lartë të FA dhe një angazhimi gjithnjë e më të madh në përmbushje të detyrave në mbrojtje të vendit dhe në interes të Aleancës, rekrutimi i ushtarëve me një profil sa më të lartë është thelbësor për FA. Ushtritë e vendeve të NATO i kushtojnë një vëmendje të madhe këtij problemi, në mënyrë të veçantë instrumenteve të përzgjedhjes dhe motivimit të tyre”, thekson ministria.

“Në kushtet e ndryshimit ligjor dhe strukturor ku koha e qëndrimit në shërbimin aktiv është rritur dhe ushtarët aktivë janë i vetmi burim për nënoficerët, rekrutimi i tyre ka një impakt të rëndësishëm mbi të ardhmen e FA. Përmbushja e kësaj kërkese kërkon që të rekrutohen shtetas me një profil cilësor, të aftë nga na fizike dhe shëndetësore dhe me një nivel të lartë kulturor. Një gjë e tillë mund të arrihet nëpërmjet përsosjes së sistemit të përzgjedhjes dhe motivimit. Rekrutimi për t’u bërë ushtar/detar aktiv në Forcat e Armatosura duhet t’u ofrojë shanse të barabarta të gjithë shtetasve shqiptarë për mosdiskriminim për shkak të racës, etnisë, ngjyrës, gjinisë, përkatësisë fetare, vendbanimit si dhe pagës përfitimeve dhe kompensimeve të tjera sipas veçorive të shërbimit ushtarak”, thuhet në deklaratën e MM.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb