Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme në mbledhjen e sotme. Qeveria vendosi miratimin në parim të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Lëviz Albania”.

Po kështu Qeveria vendosi edhe miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për bashkëpunimin ekonomiko-teknik.

Këshilli i Ministrave miratoi në parim marrëveshjen e financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Bashkimit Evropian, për programin e veprimit IPA, për vitin 2014, për Shqipërinë.

Qeveria vendosi edhe miratimin në parim të ndryshimeve në marrëveshjen e huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Infrastruktura bashkiake I – furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet Lezhë, Gjirokastër, Sarandë dhe Fier”.

Po ashtu, Qeveria miratoi në parim ndryshimet në marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Infrastruktura bashkiake II – furnizimi me ujë dhe kanalizime për qytetet Berat, Fier, Kamzë, Kuçovë, Lushnjë dhe Sarandë”.

Këshilli i Ministrave vendosi edhe organizimin, funksionimin, kohëzgjatjen e qëndrimit në detyrë dhe shpërblimin e anëtarëve të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).

Qeveria vendosi edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës nr.5, loti 2 dhe 3, Sarandë”, si dhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i shëtitores kryesore anës detit, Himarë”.

Në mbledhjen e qeverisë u vendos edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit, “Ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës nga Muzeu Historik – Spitali, Vlorë”. Qeveria vendosi edhe për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-Pass Vlorë, (shtesa)”.

Këshilli i Ministrave mori vendim edhe për organizimin dhe funksionimin e Sekretariatit Kombëtar të Nismës për Transparencë në industrinë nxjerrëse (EITI – Shqipëri), në kuadër të anëtarësimit në organizimin ndërkombëtar EITI – International.

Qeveria vendosi edhe kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 926.55 (nëntëqind e njëzet e gjashtë pikë pesëdhjetë e pesë) ha, në pronësi shtetërore, dhënë në përdorim komunave Udenisht, Buçimas dhe Çërravë.

Qeveria mori vendim për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Maminas-Gjiri i Lalëzit”.

Këshilli i Ministrave miratoi, në parim, marrëveshjen e bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb