TIRANE – Kreu i Kuvendit Ilir Meta në një letër dërguar krerëve të grupeve parlamentare kërkon nisjen e procesit të reformës zgjedhore. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se PD po e shqyrton kërkesën e kryetarit të Kuvendit, duke theksuar rëndësinë që vërejtjet e OSBE-së të pasqyrohen në Kodin Zgjedhor.

“Letrën e Metës e mora sot, do ta shqyrtojmë. Kemi kërkuar që vërejtjet e OSBE të pasqyrohen në kod. Edhe një qeveri teknike duhet të ketë kod të ri zgjedhor.”- deklaroi Paloka.

Në letrën dërguar krerëve të grupeve, zoti Meta nënvizon: “Shqipëria, si një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të përqasë legjislacionin e saj zgjedhor me standardet ndërkombëtare më të mira në këtë fushë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente me të gjithë aktorët politik dhe institucionet shtetërore të përfshira apo me detyra të caktuara, në procesin zgjedhor. Bazuar në rekomandimet e raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2015, si dhe të praktikës më të mirë parlamentare, në përgatitjen e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, do të kërkoja nga ju shprehjen e vullnetit për fillimin e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë”.

Sipas Metës, një proces i kryer në kohë është një garanci për realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: