TIRANË

Gjyqtarja Mimoza Margjeka është përplasur me policinë para Gjykatës së Posaçme. Ajo ka shpërthyer me tone të ashpra para policëve, të cilët kanë kërkuar ta marrin në makinë.

Gjyqtarja ka hedhur akuza të forta ndaj gjyqtarëve, që sipas saj, kanë frikë nga vettingu, ndërsa ka thënë se ndaj saj nuk ka asnjë provë. Ndërkohë, fjala e saj në fund të seancës gjyqësore, ku është lënë në fuqi masa e arrestit shtëpiak, është shoqëruar me tensione, pasi policët i kanë ndërprerë fjalën gjyqtares, duke e shoqëruar me forcë për në banesë.

Pjesë nga debati:
“Mos më kap ore, ik ore andej. Gjyqtarët janë të frikësuar, kanë hall vettingun. Ik moj zonjë, mos më prek. Rri urt! S’ka asnjë provë.

Gjyqtarja i drejtohet gazetares së ‘News24’, Klodiana Lala: Merre dosjen Klodi se kam besim te ti, publikoje, nuk ka asnjë provë.

Polici: Vazhdo të lutem.
Gjyqtarja: Mos më prek, prit të sqaroj gazetarët.
Polici: Vazhdo.
Gjyqtarja: Më lër të flas, mos më prek se do të të përplas.

Ndërkohë, pas shoqërimit të saj nga policia, gazetarja Klodiana Lala tha se gjyqtarja i ka dhënë dosjen hetimore, ku ajo pretendon se nuk përmendet emri i saj dhe as fakti që i janë dorëzuar paratë asaj. Gjyqtarja Mimoza Margjeka akuzohet për një skemë korruptive prej 6 mijë eurosh për lirimin e një të dënuari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb