MIRDITE – Ishte nënë e 3 fëmijëve dhe mbylli sytë e braktisur, pa ndihmën e tyre dhe të shtetit. Kjo është e vërteta e trishtë e jetës së Barbulla Pepës, 97-vjeçares nga Mirdita, të cilës 2 muaj më parë iu ndërpre energjia elektrike për shkak të debisë. E moshuara apeloi shtetin për vëmendje, një vëmendje që nuk e pati kurrë e të vetmit që iu gjenden pranë ishin fqinjët e disa shqiptarë me zemër të mirë.

Do të mbahet mend si e moshuara që jetoi mes mjerimit, kërkoi ndihmë nga shteti e zhytur në mjerim dhe u nda nga jeta, po mes këtij mjerimi. Tashmë 97-vjeçarja nga fshati Fang i Mirditës nuk do të ketë më thirrje për mëshirë nga shteti, që e la në terr për javë me radhë e që prej pak javësh kishte energji elektrike, pas ndihmës së qytetarëve shqiptarë. Barbulla Pepa është ndarë nga jeta këtë të enjte e vetmuar, në kushtet e varfërisë ekstreme, atë varfëri që e kishte kapluar prej vitesh.

Të afërmit dhe fqinjët që i qëndruan pranë në ditë të vështira deklarojnë se gruaja e moshuar kishte një shpirt bujar, pavarësisht vuajtjeve dhe varfërisë ekstreme.

Jeta e kësaj gruaje, e cila prej 20 vitesh jetonte e vetmuar në këtë banesë, është kambanë alarmi për institucionet shtetërore, nga të cilat mungon vëmendja ndaj moshës së tretë, pasi janë me mijëra histori njerëzore si ajo e Nënë Barbullës, e që gdhijnë e ngrysin çdo ditë të harruar e të pangrënë.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: