Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, i është përgjigjur deputetes Rudina Hajdari, e cila bllokoi foltoren e Kvuendit dhe e goditi me grushte, duke kërkuar të ndërpritet seanca plenare për votimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Nga vendi, Spiropali iu drejtua Hajdarit, duke i thënë se “sa më shumë të bërtasësh, aq më pak do ketë impakt tek njerëzit”. Gjithashtu, ajo foli për opozitën e bashkuar, për të cilën u shpreh se nuk do të lejohet më të marrë pjesë në mekanizma si këshille politike, nëse vendosin sërish bojkote.

“Sa më fortë të bërtasësh aq më pak dëgjohesh. Sa më shumë të godasësh foltoren aq më pak godet me fjalë dhe argumente. Po diskutojmë sikur jemi në një proces demokratik. Të tillë sjellje ta kishim lënë pas me ata që e lanë këtë Kuvend. Në këto katër vite që në krye kur u ngrit komisioni për reformën zgjedhore jemi përballur me këtë sjellje fëmijënore për opozitën jashtëparlamentare aspak etike dhe penguese. Nuk ka lidhje me procesin që duhet të ishte i shkurtër. Ne këtu po përjetojmë dhe pasojat e atij vendimi ekstrem që mori opozita për të dalë nga ky Kuvend. Fajin duan të na e lënë ne. Çfarë faji kemi që një opozitë vendos të braktisë institucionet dhe më pas t’i marrë peng ato përmes mekanizmave të tjerë ekstra ligjiorë. Mendoj se në përmbyllje të këtij procesi që do e votojmë duhet t’i japim fund njëherë e mirë krijimit të tryezave apo komisioneve apo këshillave që mundohen të mbajnë në këmëbë partitë në kurriz të qytetarëve. Kjo duhet të jetë e fundit herë që ne komunikojmë me mekanizma të tilla. E kanë bërë shprehi ata. Sa herë që duan të përfitojnë diçka nga sistemi shantazhojnë me protesta dhe dhunë e bomba molotov”, tha Spiropali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb