Alush Alla, 67 vjeç, prej 13 vitesh endet dyerve të gjykatave, me shpresën për të gjetur drejtësi.
Kalvari i përballjeve të tij me sistemin nisi në 2007. Asokohe, ai lidhi një kontratë me shoqërinë ndërtuese “F…”, me pronar Anton Pangon për blerjen e një apartamenti në zonën pranë kopshtit Zoologjik, në shumën e 135 mijë eurove. Duke qenë se pallati ishte ndërtuar, vetëm karabina, Alla e ka bërë vetë ndarjen e apartamentit. Po, me të njëjtin firmë, ai ka lidhur një tjetër kontratë, për blerjen e një dyqani, me vlerë 330 mijë euro. Njësia e shërbimit, ndodhej ngjitur me pallatin ku Alush Alla banonte.
“Një ditë – shpjegon kallëzuesi – pashë që në pallatin që bleva hyrjen për të banuar, ishte ndërtuar një oxhak, që në fakt nuk ishte në projektin e pallatit. Ai thotë se u interesua për projektin në komunën e Farkës dhe mësoi se ndërtimi i oxhakut nuk parashikohej. Kjo duket se shërben si zanafillë e konfliktit mes palëve. Shkova të prishja oxhakun që ndodhej në ballkonin e apartamentit tim– thekson Alla – pasi nuk ishte në projekt, por pronari i firmës ndërtuese, më kallëzoi në prokurori. Sipas kontratës, unë i pagova Pangos, shumën prej 120 mijë eurosh dhe pas 18 muajsh – shpjegon Alla – ai duhet të më dorëzonte hyrjen. Por, kjo nuk ndodhi. Kallëzuesi thotë se u mashtrua nga ndërtuesi, i cili apartamentin ja kishte shitur një personi tjetër”.
Ai sqaron se si për apartamentin ashtu dhe për dyqanet nuk disponon certefikata pronësie, pasi Andon Pango, nuk i kishte regjistruar pronat në emër të shoqerisë ndërtuese, por ne emrin e tij si person. Madje, ai thekson faktin se Pango kishte leje vetëm për ndërtimin e pallatit, por duke qenë se kishte bërë shtesa pa leje, i ishte drejtuar ALUIZNIT me kërkesë për legalizimin e ndërtesës. Alush Alla thotë se iu drejtua gjykatës civile e cila i dha të drejtë. Ndërtuesi Pango iu tha hetuesve se në 2006 u njoh me Alush Allën me të cilin bëri marrëveshje që ai të blinte 1 apartament dhe 3 dyqane në shumën e 470 mijë eurosh. Por, sipas tij mes tyre nisëm mosmarrëveshjet dhe ai i prishi kontratat në mënyrë të njënashme, pasi Alush Alla po bëhej pengesë në mbarëvajtjen e punës së firmës ndërtuese.
Ai ka pranuar se kishte ndërkohë detyrime përkundrejt Allës. Pavarësisht pretendimeve, prokuroria ngriti ndaj ndërtuesit Pango, akuzën e mashtrimit. Një vit më parë, prokuroria e Tiranës vendosi ta dërgojë çështjen për gjykim në gjykatën e Tiranës. Ndërtuesi Pango po gjykohet në gjendje të lirë. Procesi zhvillohet me dyer të mbyllura dhe këtë gjykatësi Altin Abdiu e justifikon me faktin se “jemi në situatë pandemie”. Pavarësisht kohës së gjatë, gjykatësi Abdiu ende nuk ka dalë me një vendim për të pandehurin Andon Pango.
(BalkanWeb)