Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për përplasjen mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, deklaroi se kreu i shtetit tashmë është kthyer në një personifikim të opozitës.

“Mënyra si po luan presidenti, e vendos në hije liderin e opozitës. Në vende të dobëta me demokracinë si yni, opozita mund të identifikohet edhe me një person të vetëm. Në këtë kuptim, Presidenti është personifikuesi i liderit opozitar më të fuqishëm. Meta po përfaqëson vetëm njërën palë dhe po zëvendëson opozitën. Presidenti Meta ka gjetur mënyrën për t’i dhënë mesazh Lulzim Bashës”, tha Nazarko.

Mentor Nazarko theksoi se kritikat që i bëhen sot presidentit për dhënie shtetësie janë ekzagjerim.

“Meta ka histori të gjatë politike, ka pasur role ekzekutive, në të cilat mund të akuzohet. Një pjesë e kritikave ndaj presidentit, janë irealiste, pasi nëse kjo shumicë do të kishte vullnetin për ta vënë presidentin në gjendje akuze, kishte mundësinë për ta bërë me atë komisionin e famshëm hetimor. Nuk mund ta bëjë për herë të dytë, kështu që kritikat që bëhen për shkelje të Kushtetutës janë të pa vendë dhe me shumë vonesë. Ka kritika të tjera, që janë tërësisht të shpërpjesëtuara, sic është ajo për dhënien e shtetësive. Unë mendoj se është një ekzagjerim. Gjithashtu jemi prapë në atë fushën e kritikave të personalizuara ndaj një personi të vetëm, siç është presidenti.

Dhënia e shtetësive është një atribut, që krerëve të shteteve iu është dhënë që nga koha e mbretërve, është një atribut ekskluziv i tyre. Në gjykimin tim Presidenti do duhej ta jepte më me tepricë, posaçërisht ndaj shqiptarëve të diasporës, për të cilët kritikohet sot, sepse Kosova përballet me një izolim të madhe  të gjatë ndërkombëtar, të pashpjegueshëm, me efekte shkatërrimtare. Izolimi po prodhon monstra, veçanërisht te brezi i ri dhe presidenti e ka parë të arsyeshme, që në këtë izolim, që prek dhe figurat elitare të shoqërisë kosovare, si intelektualë, zyrtarë, etj., të jetë pak më ‘bujar’ dhe kjo është një pikë, e cila po atakohet. Kjo është e tepruar, sepse në kushtet e këtij izolimi të madh, që po përballon Kosova, që presidenti të kontribuojë është diçka tërësisht humane. Figura të njohura a veteranë lufte duhet që të kenë shtetasi të Shqipërisë, që të ikë në Gjermani për shembull, të takojë miq e familjarë”, u shpreh Nazarko.

Më tej, Nazarko deklaroi se PD tani po bën një ligjërim kritik ndaj qeverisë, duke qenë se sulmin më të fuqishëm ndaj maxhorancës po e bën kreu i shtetit.

“Basha është krejt normale që të jetë i pranishëm në këtë mexhilisin tonë politik. Ka gjetur tema si antikorrupsioni, për çështje që janë të prekshme për jetën e njerëzve. PD po bën ligjërim kritik. Kjo është normale, në kohën që Meta është në sulm”, tha Nazarko.

Duke folur për reformën në drejtësi, Nazarko u shpreh se diçka edhe mund të pritet, ndërsa shtoi se nuk ka informacion nëse do ketë ndonjë goditje të fuqishme nga SPAK.

“Reforma në drejtësi ka protektoratin perëndimor, por ka vulë shqiptare. Pavarësisht se individëve po iu jepet pavarësi, por vështirë të shikojmë punë konkrete. Gjithsesi, mendoj se reforma në drejtësi është diçka pozitive. Unë mendoj se diçka pritet, diçka ka, prandaj brenda palëve politike ka agresivitet. Imagjinoj se do të ketë rezultate”, deklaroi Nazarko.

Mentor Nazarko theksoi se beson se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë do të bëhen funksionale shumë shpejt.

“Besoj se ka ngelur shumë pak që të mbyllet ky gur në mozaikun institucional të sistemit të drejtësisë në vend. Palët duket se po gjejnë dakordësi, për të përmbushur vakancat edhe në Gjykatën e Lartë. Gjykoj se ndërkombëtarët do të ushtrojnë presion mbi palët politike që të ngrihet Kushtetutesj”, tha ai.

Në lidhje me situatën e koronavirusit, Nazarko vlerësoi se Shqipëria tashmë ka një trend rritës, njësoj siç po ndodh edhe në vendet e tjera europiane.

“Numri i testeve sa kam dijeni është rritur. Shifrat tona flasin se edhe ne jemi në trendin europian. Edhe vendet europiane që kanë infrastrukturë më të mirë se ne, janë në këtë trend. Ne tashmë jemi më të përgatitur, vaksina është në fazën e testimeve”, përmbylli Nazarko.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb