TIRANE- Kryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Arta Dade, ka reaguar sot ndaj komenteve të ish-kyeministrit Sali Berisha për ambasadorin gjerman Helmut Hoffmann. Duke folur në një deklaratë për mediat, Dade thotë se këto komente ngga Berisha janë “tregues i gjendjes së rëndë ku ndodhet”.

“Ky politikan famëkeq kthehet tek praktikat e tij, si në 1997 kur sulmoi ambasadën. Ambasadorët e nderuar përfaqësojnë vendet e tyre”, tha Dade.

Sipas Dades sulme të tilla nuk i shërbejnë qytetarëve shqiptarë.

REAGIMI

“Në përgjigje të sulmit të Sali Berishës ndaj Ambasadorit Hoffmann ka reaguar Znj Arta Dade, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme

Sot zhvilluam një bashkëbisedim në Komisionin për Politikë të Jashtme me Sh.S.Znj. Romana Vllahutin, Ambasadore e BE në Tiranë, rreth çështjeve të integrimit të Shqipërise në BE, puna për përmbushjen e standardeve por edhe progresin e bërë në 5 kolonat kryesore që çojnë drejt vendimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Vëmendje e veçantë iu kushtua reformës në drejtësi dhe domosdoshmërisë për bashkëpunim maxhorancë opozitë. Nuk është e pazakontë që në këtë komision çështjet e politikës së jashtme dhe integrimi në BE si përparësi e politikës së jashtme, të mos ndikohen nga konfliktualiteti politik partiak.

Gjithashtu bashkëbiseduam për rolin e Shqipërisë si kontributor për sigurinë rajonale dhe më gjerë, rol ky i vlerësuar nga partnerët tanë euroatlantikë, në linjë me politikën e përbashkët të sigurisë dhe çështjeve të jashtme të BE-së, në mënyrë të veçantë në sfidat e përbashkëta në luftën kundër terrorit dhe ekstremizmit.

Komisioni për Politikën e Jashtme ka organizuar takime të njëjta edhe me Ambasadorë të tjerë sikurse Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Sh.T.Z. Helmut Hoffmann, për të cilin komisioni ka konsiderata të veçanta edhe për rolin e tij aktiv për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe shumëdimensionale por edhe si përfaqësuesi më i lartë në Shqipëri i Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kancelares Merkel me nismën e së cilës mori jetë procesi i Berlinit si instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal dhe i inkurajimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbajtur fokusin në axhendën tonë europiane e përshpejtuar reformat e domosdoshme për vetë shqiptarët por edhe për përparimin e procesit të integrimit.

Sulmet e Berishes ndaj Ambasadorit të nderuar janë tregues i gjendjes së rënde në të cilën ndodhet ky politikan famëkeq që kthehet e rikthehet tek praktikat e tij të vjetra sikurse në 1996 e 1997 kur sulmonte Ambasadoren e nderuar të SHBA, kur si president çberi shtetin dhe është përgjegjës për humbjen e mbi 3000 jetëve, apo kur sulmoi institucionet përmes grushtit të shtetit në 1998 apo përsëri kur sulmonte Ambasadorin e SHBA kur urdhëroi vrasjet e demonstruesve të paarmatosur e paqësor në 21 janar.

Ambasadorët e nderuar janë përfaqësues të vendeve të tyre, të vendeve që kanë mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin drejt konsolidimit të demokracisë dhe proceseve të integrimit euroatlantik. Ata janë vënë nën sulmet e papranueshme të këtij pasardhesi të praktikave dhe mendësive autoritariste dhe totalitariste të refuzuar prej shqiptarëve, sa herë që ata nuk janë pajtuar me dhunimin që ky personazh i ka berë demokracisë dhe institucioneve të pavarura apo kur ka urdhëruar krime e korrupsion për të cilat vazhdon të mos ndeshkohet nga drejtësia por edhe nga aktorë të rëndësishëm që në bashkëveprim me drejtësinë duhet ta kishin vënë përpara përgjegjësisë penale”, shkruan Arta Dade, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Jashtëm.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: