Nga: ZONJA KATERINA

2 filxhanë miell
2 filxhanë ujë
2 kokrra vezë
1 lç kripë
3 kokë hudhër
150-200 gr gjalpë
200-250 gr djathë të bardhë
50 gr djathë kaçkavall

Përziejmë vezët me kripë, shtojmë pak ujë të vakët dhe më pas shtojmë miellin e situr dhe ujin sa të bëhet një brumë më i plotë se i krepave.

Lyejmë një tigan me gjalpë dhe fillojmë pjekim petullat të cilat i hedhim me garuzhde siç veprojmë me krepat apo palaçinkat.

Pastrojmë kokët e hudhrave dhe grijmë shumë hollë të gjithe thelpinjtë. Vendosim në tigan gjalpin të shkrijë dhe shtojmë hudhrat të cilat i kaurdisim lehtë. Shtojmë në fund 2-3 lugë ujë dhe e përziejmë që të bëhet si salcë e lidhur.

Marrim një tavë të rrumbullakët në diametër të barabartë me petullat e shtrira. E lyejmë tavën me pak gjalpë dhe vendosim petën e parë, e lyejmë me salcën me gjalpë dhe hudhër dhe më pas e spërkasim me djathë të bardhë të thërrmuar. Vendosim petën e dytë, e lyejmë me salcë hudhre dhe djathë dhe kështu vazhdojmë derisa të mbushet tava. Në fund e spërkasim me djathë kaçkavall të grirë në rende dhe e vendosim në furrë në temperaturën 200 gradë për 10-15 minuta.

(Vila24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb