Nga: ZONJA KATERINA
Për pulën e mbushur:
1 pulë mesatare
100-150 gr djathë kaçkavall
100 gr proshutë të tymosur
1 spec të kuq
1 spec jeshil
3-4 thelpi hudhër
1-2 lugë gjalpë
Kripë, piper
Për patatet e pjekura:
7-8 patate mesatare
4-5 lgj vaj ullliri
4-5 qepë të njoma
2 lgj mustardë
2 lgj uthull balsamike
1 degëz rozmarinë
½ ls rigon
Kripë, piper
Fillimisht përgatisim pulën e mbushur. E spërkasim mirë pulën me kripë dhe piper dhe vendosim thelpinjtë e hudhrës në sipërfaqen e pulës nën lëkurë. Shkrijmë gjalpin dhe e lyejmë mirë pulën. Presim specat në kubikë dhe i bashkojmë me proshutën ose pançetën dhe me djathin kaçkavall të prerë në kubikë. Me këtë masë mbushim pulën, e mbyllim pjesën e barkut me shkopinj dhe më pas lidhim këmbët me spango kuzhine. E vendosim pulën e mbushur në një tavë mundësisht të ngushtë (sa të marrë pulën dhe t’a mbajë të mbyllur), e mbulojmë me letër kuzhine dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturën 180-200 gradë për rreth 1 orë e 30 minuta. Në fund heqim letrën e kuzhinës, e lyejme përsëri me pak gjalpë dhe e lemë dhe 10 minuta të tjera në furrë të marrë ngjyrë të kuqerremtë.
Ndërkohë që pula piqet përgatisim patatet e pjekura. Vendosim patatet të ziejnë për 20-25 minuta. Grijmë pjesën e bardhë të qepëve të njoma dhe e bashkojmë me rozmarinën, rigonin, kripën, piperin dhe gjysmën e sasisë së vajit të ullirit. E vendosim salcën e marinimit në një tavë. Pasi patatet të kenë zjerë i presim në feta rrumbullake dhe i vendosim në tavë duke i kthyer nga të dyja anët që të aromatizohen me salcën e përgatitur.
Nxehim një tigan që nuk ngjit dhe me anë të një furçe e lyejmë me yndyrën ku kemi vendosur patatet. Pasi tigani të jetë nxehur mirë vendosim patatet dhe i pjekim nga të dyja anët dhe më pas i vendosim patatet e pjekura në një pjatancë.
Përgatisim salcën me mustardë. Në një enë hedhim mustardën, uthullën, vajin e ullirit, bishtat e qepëve të njoma të grira hollë, kripën dhe piperin. E përziejmë mirë salcën derisa të lidhet dhe të bëhet kremoze dhe e hedhim mbi patatet e pjekura.
(Vila24/BalkaWeb)
