Një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka dhunuar dhe goditur me shufër metalike një të ri, pasi kishte dalë gjatë orës policore, është pezulluar nga detyra. Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se zyrtari policor është pezulluar për 72 orë për të hetuar rastin.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka konfirmuar rastin për Klan Kosovën duke thënë se veprimet e tjera do të ndërmerren në bashkëpunim me prokurorinë.

“Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar informacionin për këtë rast dhe hetuesit i janë përgjigjur rastit duke dalë në vendin ngjarjes në Mitrovicë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar menjëherë grumbullimin e informacioneve si dhe kanë kontaktuar me Prokurorinë e Mitrovicës. Zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është suspenduar për 72 orë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës. Veprimet tjera hetimore priten të ndërmerren në konsultim me prokurorinë kompetente në përputhje me misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës”, ka thënë Beka.

Nga ana tjetër zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka konfirmuar se ka nisur një proces hetimi për rastin e të riut, i cili është marrë në pyetje. “Një person është intervistuar në cilësi të të dyshuarit, ndërsa pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast për “pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”. Në hetim të rastit është kyçur edhe IPK- ja”, bëri me dije policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb