Kryeredaktori i “Gazetës Shqiptare”, Erl Murati, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, ndryshimet e fundit në qeveri, ku Olta Xhaçka mori postin e ministres së Jashtme dhe Niko Peleshi u emërua ministër i Mbrojtjes.

Për Erl Muratin këto ishin ndryshime në qeveri, pasi vijnë vetëm katër muaj para zgjedhjeve, ndaj dhe sipas tij, janë në funksion të garës elektorale të 25 prillit.

“Largimi i Gent Cakajt ishte vërtet surprizë, pasi ishte një personazh i stigmatizuar nga opozita. Begraundi i tij, mënyra si u përzgjodh pas një përplasjeje mes Presidentit dhe Kryeministrit, e vuri në pikëpyetje postin e tij, megjithatë nuk mendohej që të largohej katër muaj para zgjedhjeve. Ndryshimet në kabinetin qeveritar unë i shoh në funksion të garës elektorale të 25 prillit. Kemi pasur më parë edhe ndryshimin e Sandër Lleshajt me Bled Cucin në Ministrinë e Brendshme. Unë i shoh të gjitha këto në vazhdën e zgjedhjeve. Ky ripolitizim bëhet para zgjedhjeve për t’i dhënë vlerë përfaqësuesve të PS në përballjen elektorale të 25 prillit. Kryeministrit Rama do t’i duhet t’i propozojë Presidentit shkarkimin e ministrit të Jashtëm, që është vetë Rama. Pra duhet të kemi dhe një dekret për shkarkimin e Ramës si ministër i Jashtëm, dhe më pas një dekret për emërimin e Olta Xhaçkës”, tha Murati.

Ndërkohë, sa i përket rikthimit në qeveri të Niko Peleshit, Murati u shpreh se “Rama është treguar i vëmendshëm për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar pa lënë atë shijen e një lloj tranzicioni. Kemi ndryshime në tre dikastere kryesore. Ndryshimet e sotme ishin surprizë, pasi nuk pritej të kishte ndryshime katër muaj para zgjedhjeve në dikasterin e diplomacisë, aq më tepër kur nuk kemi parë përplasje mes Ramës dhe Cakajt. Për të gjitha çështjet diplomatike, Cakaj ka mbajtur të njëjtin qëndrim si Rama. Nga kjo pikëpamje nuk mund të flitet për një lloj rebelimi. Nga ana tjetër, të tre ministrat e larguar, si Shahini, Lleshaj e Cakaj, janë kontestuar nga opozita dhe nuk kanë pasur ndonjë rezultat të spikatur. Kanë qenë të tre të atakuar dhe sulmuar vazhdimisht. Në këtë aspekt, Rama është treguar i vëmendshëm për të ndryshuar këto tre dikastere, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Jashtme. Kemi të bëjmë me një lloj ripolitizimi të qeverisë ‘Rama’, që është në funksion të garës së 25 prillit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb