3 ditë më parë qeveria ekspozoi para qytetarëve të Tiranës plotë 36 autoambulanca të reja të sapotarguara me të gjitha pajimet në bord për dhënien e ndihmës së parë, me fokus kryesor përballimin e situatës së covidit.

Për të inauguruar flotën më të re të urgjencave kishte dalë vetë kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kreu i ministrisë së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe drejtori i qendrës kombëtare të urgjencës Skënder Brataj.

Pas inaugurimit zyrtar ku mediat u mbajtën larg parisë drejtuese 36 autoambulancat e reja dhe personeli i angazhuar në to nuk morën rrugën drejt rajoneve ku janë caktuar por janë rigrupuar sërisht në të njëjtin parking pas Qendrës Kombëtare të Urgjencës ku kishin disa javë të parkuara, të paktën që prej datës 18 dhjetor kur mjetet e sapoblera të urgjencës u panë të lëviznin në rresht për një në autostradën Tiranë-Durrës siç tregon videoja amatore e publikuar në median online.

Pamjet aktuale të ambulancave janë filmuar me celular pasi punonjësit e sigurisë së qendrës kombëtare të urgjencës penguan grupin e xhirimit të ‘News 24’ të filmonte nga jashtë dhe në distancë objektin e QKUM si dhe autoambulancat e rreshtuara në parkingun e pasëm.

Punonjësit e sigurisë thanë se kishin urdhër nga drejtori i institucionit për të mos lejuar askënd, përfshirë mediat, që të filmonin si nga brenda dhe nga jashtë objektin e Urgjencës Kombëtare përfshirë edhe parkingun pa marrë më parë një leje nga ky i fundit. Por nëse për të filmuar nga jashtë dhe në distancë godinën e qendrës kombëtare të urgjencës duhet leje nga drejtori ky rregull absurd nuk ekziston për asnjë institucion publik, apo shtetëror madje dhe vetë institucionin epror shëndetësisë ku përjashtim bëjnë vetëm institucionet e rëndësisë tepër të veçantë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb