Vonesat e mëtejshme në shpërndarjen e vaksinave të Pfizer janë një nyje që komplikon enigmën e fushatës së vaksinimit kundër Covid-19, thotë Komisioneri i Jashtëzakonshëm italian për Urgjencën Covid-19, Domenico Arcuri, sipas gazetës italiane ”Il sole 24 ore”.
Ky fakt, e detyron qeverinë të rishikojë shpërndarjen e vaksinave, duke riformatuar dërgesat në mënyrë që asnjë rajon të mos mbarojë dozat dhe të mund të vazhdojë me procesin.
Plani i paraqitur në fillim të dhjetorit në parlament nga ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza po trajtohet përsëri.
Ekzekutivi aktivizoi Avokaturën e Përgjithshëm të Shtetit për të vlerësuar profilet e ndryshme të përgjegjësisë së kompanisë farmaceutike në rast të mospagimit dhe veprimet e mundshme që duhen ndërmarrë për interesat e vendit dhe qytetarëve.
Vonesat e shumta për shpërndarjen e vaksinave të planifikuara nga shumëkombëshet farmaceutike përbëjnë një problem të ri që rrezikon jo vetëm shtyrjen e fushatës së vaksinimit me disa javë, por gjithashtu krijimin e më shumë se disa probleme në administrimin e dozës së dytë, të planifikuar 21 ditë pas të parës.
Hipoteza e një “mekanizmi solidariteti” midis rajoneve qëndron ende, edhe nëse ndërmjet guvernatorëve nuk kanë një linjë të përbashkët për respektimin e indikacioneve të dhëna nga vetë qeveria.
Rajonet kanë kërkuar që të jetë qeveria ajo që të vendosë se ku shkojnë vaksinat dhe jo Pfizer.
Në veçanti, kërkesa u bë nga guvernatorët e Lega Italia.
“Na është dashur të përgjysmojmë numrin e vaksinave Covid sepse nuk kemi doza të mjaftueshme dhe personel mjekësor për t’iu përmbajtur planit të vaksinimit. Conte duhet të marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjeve”, thanë ata.//ATSH