Administrata e presidentit amerikan Joe Biden zyrtarisht ka anuluar përcaktimin “terrorist” për rebelët Houthi të Jemenit që u vendos nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ky veprim do të jetë efektiv nga 16 shkurti, duke shtuar se masa ishte e domosdoshme nga “situata e tmerrshme humanitare në Jemen”.

“Ne kemi dëgjuar paralajmërime nga Kombet e Bashkuara (OKB), grupet humanitare dhe anëtarët e dy partive të Kongresit, ndër të tjera, se përcaktimet mund të kenë një ndikim shkatërrues në qasjen e jemenasve në mallrat bazë si ushqimi dhe karburantet”, tha diplomati i lartë.

“Revokimet kanë për qëllim të sigurojnë që politikat përkatëse të SHBA-së nuk pengojnë ndihmën për ata që tashmë vuajnë nga kriza që është quajtur kriza më e keqe humanitare në botë”, shtoi ai.

Ndërsa grupi do të hiqet nga lista e zezë e terrorizmit, tre nga udhëheqësit kryesorë të grupit: Abdul Malik al-Houthi, Abd al-Khaliq Badr al-Din al-Houthi dhe Abdullah Yahya al-Hakim, do të mbeten të sanksionuar sipas vendimeve të tjera.

Përcaktimi si terrorist i grupit Houthi hyri në fuqi në ditën e fundit të plotë të ish-Presidentit Donald Trump në detyrë. Mike Pompeo, paraardhësi i Blinken-it, tha se kishte për qëllim ta mbante grupin rebel “të përgjegjshëm për veprimet e tij terroriste, përfshirë sulmet ndërkufitare që kërcënojnë popullatën civile, infrastrukturën dhe transportin tregtar”.

Grupi Houthi faktikisht ka autoritet në një pjesë të madhe të vendit i cili përballet me varfëri dhe mungesë të ushqimit, ndërsa OKB dhe grupet humanitare paralajmërojnë vazhdimisht se përcaktimi i grupit si një organizatë terroriste mund të pengonte shpërndarjen e ndihmës shumë të nevojshme në vendin që përballet me katastrofën më të keqe humanitare në botë.

Kreu i OKB-së për çështjet humanitare, Mark Lowcock, tha më 14 janar se vendimi do ta shtyjë kombin e varfër në “një uri në shkallë të gjerë në një shkallë që nuk e kemi parë për gati 40 vjet”.

Lowcock gjithashtu tha se plani i administratës Trump për të siguruar licenca speciale për grupet humanitare për të shmangur sanksionimin do të jetë i pamjaftueshëm për të frenuar pasojat humanitare nga vendosja në listë të zezë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb