Afrika e Jugut do të rihapë 20 vendkalime kufitare tokësore që u mbyllën muajin e kaluar për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), tha gjatë fundjavës ministri i Punëve të Brendshme, Aaron Motsoaledi.

Motsoaledi tha se kabineti mori vendimin të shtunën që të lejojë udhëtimin e rregullt ndërkufitar për të rinisur në kalimet.

Presidenti i vendit, Cyril Ramaphosa, njoftoi mbylljen e vendkalimeve kufitare tokësore më 11 janar pas bllokimit të rëndë në kalimet kufitare që ekspozuan shumë njerëz ndaj infeksioneve të COVID-19.

Në atë kohë, stacionet televizive lokale treguan pamje me radhë të gjata automjetesh dhe njerëzish që prisnin për orë të tëra derisa kërkonin të hynin në Afrikën e Jugut nga kalimi kufitar i Urës Beit me Zimbabven.

“Ka qenë e vështirë të sigurohet që kërkesat shëndetësore për hyrjen në Afrikën e Jugut janë përmbushur, me shumë njerëz që vijnë pa prova të testeve për COVID-19”, tha Ramaphosa, duke shtuar se “çdo person që paraqitet në ndonjë kufi me certifikatë të rremë COVID-19 do t’i refuzohet hyrja dhe do të ndalohet të vizitojnë Afrikën e Jugut për një periudhë prej të paktën pesë vjet”.

Motsoaledi u bëri thirrje udhëtarëve të sigurohen që ata të kenë të gjitha dokumentet e kërkuara të udhëtimit kur paraqiten para zyrtarëve në kufij, duke përfshirë testet e vlefshme të COVID-19.

“Shoferët e mauneve duhet t’i përmbahen ligjeve, rregulloreve dhe marrëveshjeve të vendosura në zonën kufitare”, tha ai.

Afrika e Jugut ka numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 në kontinent, me 1.491.807 persona të infektuar dhe 47.899 vdekje të regjistruara deri më tani.//AA

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb