Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se zhvillimet lidhur me çështjen bërthamore të Iranit ndodhen në një pikë kritike dhe se heqja e sanksioneve ndaj këtij vendi dhe rikthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore është një fazë e rëndësishme në kapërcimin e bllokimit në këtë çështje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin në një konferencë për media në kryeqytetin Pekin tha se çështja bërthamore e Iranit në situatën aktuale ndodhet në një pikë kritike dhe se mundësitë dhe sfidat janë së bashku.

“Kina gjatë gjithë kohës ka menduar se kthimi i palës amerikane në marrëveshjen gjithëpërfshirëse bërthamore dhe heqja e sanksioneve kundër Iranit janë një pikë e rëndësishme për thyerjen e ngërçit në çështjen bërthamore”, tha Wang.

Ai më tej njoftoi se i kanë përgëzuar palët për arritjen e dakordimit dy ditë më parë mes Iranit dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

“Dëshirojmë që ky dakordim të zbatohet në mënyrë të sinqertë”, tha Wang i cili shtoi se u bëjnë thirrje palëve të tjera që të luajnë rol pozitiv në këtë drejtim.

Kreu i IAEA-së, Rafael Grossi tha se në takimin që zhvilloi më 22 shkurt me zyrtarët iranianë u arrit dakordim i përkohshëm dhe se Agjencia do të vazhdojë edhe 3 muaj në mënyrë të pakufizuar aktivitetet e saj themelore të verifikimit dhe monitorimit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb