Nënkryetari i LRI, Klevi Pojana, përmes një statusi në rrejte sociale i është drejtuar të rinjve.

Pojana vë në pah se të rinjtë nuk duhet të largohen nga vendi, por ta mendojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.

Po ashtu ai thekson se të rinjve i takon përgjegjësia dhe barra e rëndë për t’u bërë lokomotiva e ndryshimit.

Postimi i plotë i Klevi Pojanës:

Ne duhet të shikojmë nga e ardhmja.
Me besimin në Zot, duke u orientuar nga parimet më të larta njerëzore dhe duke u mbështetur tek vlerat më të mira kombëtare.

Ne duhet të fitojmë kohën e humbur.
Me punë të ndershme, duke ngritur themelet e së nesërmes mbi forcën e jashtëzakonshme të dijes dhe duke ridimensionuar shoqërinë tonë mbi dashurinë për familjen.

Ne duhet të luftojmë.
Me kurajo guximtarësh, duke shembur të keqen që na mban peng dhe duke ndërtuar Shqipërinë që të gjithë ëndërrojmë.

Gjithsecili duhet të kërkojë tek vetja më të mirën, ta injektojë këtë të mirë në jetën e tij e padiskutim kjo mirësi do t’i shërbejë familjes, shoqërisë dhe vendit.

Të ikësh nga problemi nuk e zgjidh problemin.
Prandaj thirrja më e fortë sot është që të mos e braktisim tokën për të cilën të parët tanë dhanë jetën, të mos e braktisim vendin tonë të lindjes, të mos e braktisim Shqipërinë.

Të rinjve i takon sot përgjegjësia dhe barra e rëndë për tu bërë lokomotiva e ndryshimit.

Vetëm energjia e pashtershme rinore mund të nxjerrë në dritë potencialin e jashtëzakonshëm që Zoti i dhuroi Shqipërisë tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb