Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në “Facebook” ka kujtuar ndarjen nga jeta të kompozitorit të shquar, Agim Krajka.
Rama thekson se Krajka i dha emrin e tij firzamonikës, duke shtuar se të gjithë kemi një therje në zemër, për ikjen e tij nga kjo botë.
Postimi i kryeministrit Edi Rama:
AGIM KRAJKA që në sytë tanë i dha emrin e tij firzamonikës, iku sot në banesën e fundit.
Dibran nga rrënjët por dritën e diellit e pa në Kavajë, 84 vjet më parë, me firzamonikën e të atit pranë djepit.
Ajo firzamonikë e pandarë nga kraharori u bë e pandashme nga personaliteti i tij krijues, i cili spikati me këngë të rrezikshme tingujsh të lehtë në atmosferën e rëndë të marsheve komuniste dhe me variacione marramendëse në skenat e këngës popullore.
Nuk e di nëse ka pasur një kompozitor tjetër që të jetë fishkëllyer aq shumë sa Agim Krajka në buzët e të dashuruarve të botës së djeshme shqiptare pa youtube e as telefon inteligjent, po nuk besoj të këtë ndonjë nga banorët e asaj bote që sot nuk ka ndjerë një therje në zemër për shuarjen e burimit të atyre fishkëllimave.
U prehtë në paqe?
(d.xh/ balkanweb)